Rama për arbitrat: Nuk paguajmë për ata që japin penallti gabim në kampionat

Për t’u përgjigjur qytetarëve për çdo paqartësi që kanë mbi zgjerimin e paketës së ndihmës financiare, Kryeministri Edi Rama iu drejtua rrjeteve sociale. Mes qindra komenteve në “Facebook”, pati edhe një kërkesë për arbitrat e futbollit, të cilët nuk janë paguar, edhe pse përfshihen në paketën e ndihmës nga FSHF.
Rama bëri të qartë se për momentin nuk përfshihej kjo kategori në ndihmën ekonomike, duke ironizuar faktin se i ishin ankuar njerëz se ata jepnin penallti gabim. “Arbitrat e futbollit? Pse, apo t’i paguajmë pse japin penallti gabim…?! Kam dëgjuar se jepni shumë të tilla të paqena në kampionatin shqiptar. Unë nuk e ndjek kampionatin, por më janë ankuar shpesh për këtë. Jo, arbitrat e futbollit nuk do të jenë pjesë e ndihmës”, deklaroi kryeministri.
Edhe më herët kryeministri Rama ka deklaruar se klubet e futbollit nuk do të marrin mbështetje ekonomike. Sipas kryeministrit, klubet e futbollit deklarojnë listë pagesa fiktive, sa një kompani fasone dhe për këtë arsye nuk duhet të ankohen sot, por duhet të gjejnë mënyrën e tyre për të mbijetuar.