Sfida për majën e Everestit, detajet si 6 alpinistët po luftojnë me mungesën e ajrit. A do të triumfojnë?

Ata kanë një ëndërr, ndaj ndodhen atje, në vendin që pakkush mendon të shkojë e ca më pak mun t’ia dalin. Sepse duan t’i japin Shqipërisë një dhuratë të këndshme në këtë një shekull pavarësi. Ndaj brenda datës 29 maj ekipi i alpinistëve shqiptarë pritet të ngjitet në çatinë e botës, majën e Everestit, plot 8.848 m.

Atje ku është maja më e lartë e botës, ata do të vendosin flamurin kombëtar kuq e zi në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.

Burime nga ekipi i alpinistëve bënë me dije për agjencinë e lajmeve NOA.al se të gjithë alpinistët do të mund të ngjiten deri në lartësinë 7.700 apo 7.900 metra, ndërkohë që arritja në majën e Everestit do të jetë sfida finale rezultatin e së cilës pritet ta mësojmë brenda datës 29 Maj.

Ekipi i alpinistëve të Shoqatës Dajti Alpino-Turistik, i cili synon të ngjisë majën Everest (8.848 metra), përbëhet 6 alpinistët Xhimi Begeja, Gjergj Bojaxhi, Fation Plaku, Gerti Pishtari, Erlin Rudho dhe Mat’heo Begeja.

Aleksandër Bojaxhi, është kreu i kësaj shoqate. Ai tregon për lexuesit e NOA.al, detaje të shumta mbi udhëtimin e rrallë që tashmë gjendet në fazë kulmore.

100 vjetori i Pavarësisë, alpinistët do vendosin flamurin në malin Everest

Alpinistët janë stacionuar dy herë në Kampin Bazë të Përparuar (ABC) në lartësinë 6.400 metra. Prej këtu ekipi i është nënshtruar në të dy herët procesit të aklimatizimit.

Herën e parë ekipi është ngjitur deri në lartësinë 6.800 metra dhe jo më lart për arsye të kushteve të motit të papërshtatshëm.

Herën e dytë ekipi i është nënshtruar përsëri procesit të aklimatizimit duke u ngjitur deri në lartësinë 7.400 m, me fjetje në një kamp të ngritur më sipër, në Kampin 1 (7.100 m). Por, për shkak të motit të papërshtatshëm ekipi i alpinistëve shqiptarë nuk ka mundur të ngjitet më lart.

Prej katër ditësh ekipi ndodhet në Kampin Bazë (BC) në lartësinë 5.000 m për çlodhje ose thënë ndryshe për të kaluar një periudhë kohe duke ushqyer organizmin me më shumë oksigjen. Zhvillimi i elementëve atmosferikë në lartësitë e malit Everest do ta detyrojë ekipin të qëndrojë i stacionuar në BC deri më datën 19, sipas parashikimit të motit.

Më datën 20 maj parashikohet që ekipi të niset për të sulmuar majën e Everestit.

“Çdo anëtar i ekipit do të jetë në të njëjtin litar pune/sigurimi me një alpinist sherp, anëtar i kompanisë Monark Mountain Adventures Nepal, me të cilën shoqata shqiptare ka lidhur kontratë për udhërrëfyes”, theksojnë burime nga ekipi.

Në rrugën drejt majës ekipi i alpinistëve do të kalojë nëpër këto kampe:

Kampi i ndërmjetëm 5.700 m

Kampi Bazë i Sipërm (ABC) 6.400 m

Kampi 1: 7100 m

Kampi 2: 7700 m

Kampi 3: 8300 m. Prej këtu do të bëhet sulmi për në majë, gjë që parashikohet të ndodhë më datën 26 ose 27 Maj.

“Kur alpinistët shqiptarë të arrijnë në Kampin 3 do të kenë mundësi të flenë vetëm pak orë, përafërsisht nga pasditja deri në orën 20:00. Kjo ngase si rregull nisja prej këtu bëhet në orën 21:00 ngaqë në Faqen Veriore të majës së Everestit nata është pa erë, por jo dita. Nga kjo faqe, e cila shtrihet në territorin e Tibetit Kinez, këtë vit parashikohet të tentohet ngjitja e majës Everest nga rreth 160 alpinistë të mbledhur nga disa shtete të botës. Ekipi beson se deri në lartësinë 7.700 apo 7.900  metra të gjithë do të munden të ngjiten. Ngjitja në lartësi më të madhe dhe arritja në majën e Everestit do të jenë sfida finale rezultatin e së cilës do ta mësojmë, besoj, brenda datës 29 Maj. Urojmë të ndodhë!”, thonë alpinistët.

Anëtarët e ekipit në mesazhet e tyre thonë se janë të motivuar 100 % për të ngjitur majën e Everestit.

“Vetëm aty e kam mendjen. Kam një vit që stërvitem vetëm për të arritur majën. Tani për tani nuk më intereson asgjë tjetër. Të gjithë shpresojmë të kemi shëndet të mirë. Mos na daltë ndonjë gjë e papritur! I gjithë ekipi ndjehet mirë dhe të gjithë do e synojnë majën, por se si do të shkojnë punët deri në fund, kjo ngelet për t’u parë”, thotë njëri nga anëtarët e ekipit të alpinistëve shqiptarë.


Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT