I paraqitën si “donacione”, zbardhet DOKUMENTI: PD pagoi mbi 800 mijë dollarë për heqjen “Non Grata” të Sali Berishës

Sali Berisha duket se është i “fiksuar” pas heqjes së statusit “non grata”, vendim i cili është marrë nga administrata e DASH në maj të vitit 2021.
Sipas një raporti financiar, Partia Demokratike ka paguar mbi 800 mijë dollarë për heqjen e “non grata”-s në SHBA. Në këtë raport të publikuar nga VNA, vërehet se përgjatë vitit 2025 janë kryer katër pagesa, me vlerë totale 69,423,511 lekë, ose 830,000 dollarë.
Sipas këtij dokumenti, PD i ka raportuar këto transaksione si dhurime në natyrë për llogari të saj, me shpjegimin se personi juridik “Make Albania Great Again” ka ofruar shërbime juridike dhe konsulence.
Kjo kontratë është firmosur pak javë para zgjedhjeve, ku u paguan 6 milionë dollarë, ndërsa PD pretendoi në atë kohë se këto para kanë si burim donacione nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në SHBA, si dhe nga shqiptarë të tjerë të larguar nga Shqipëria gjatë 10 viteve të fundit për shkak të regjimit të Edi Ramës.
Sakaq, PD sqaron se komuniteti shqiptaro-amerikan, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve të PD me Kongresin dhe qeverinë e SHBA.
Sipas selisë blu në atë kohë, synimi i bashkëatdhetarëve në SHBA është bashkëpunimi i PD me aleatin kryesor të Shqipërisë për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.