Ilir Proda bie pre e hacker-ave, Policia e Shtetit njofton me urgjencë: Mos iu përgjigjni “Drejtorit të Përgjithshëm” në e-mail!

Policia e Shtetit, ka bërë një njoftim përmes së cilit ka lajmëruar se së fundmi janë konstatuar disa raste të disa adresave email-i të rreme nën emrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
Është sqaruar se shtetasit që fshihen pas kësaj, janë ende të paidentifikuar dhe dhe u prezantohen “preve” si struktura për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Përmes këtyre adresave qytetarët kanë marrë mesazhe kërcënuese përmes së cilave u vendoset një afat kohor prej 24-orësh për t’u paraqitut në polici, për shkak se sipas email-eve kanë kryer vepra penale në fushën e narkotikëve apo krimeve kibernetike.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos i shpërndajnë këto emaile dhe të mos u kthejnë përgjigje dhe thekson se kurrë nuk dërgohen njoftime për hetime me anë të emaileve. Po ashtu shprehen se asnjë strukturë nuk mund të thërrasë një qytetar në polici pa një thirrje zyrtare të firmosur dhe të protokolluar.
Njoftimi i plotë:
Policia e Shtetit/ Informojmë qytetarët se së fundi, janë konstatuar disa raste të shtetasve të paidentifikuar që kanë krijuar adresë elektronike të rremë (email), me kredenciale të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhe nëpërmjet saj, janë prezantuar si struktura për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Me këtë adrese, qytetarëve iu janë dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje kërcënuese, duke i njoftuar se janë në hetim për krime kibernetike ose vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe duke iu kërkuar që të paraqiten brenda 24 orëve, në polici.
Informojmë se emailet janë false dhe nuk kanë asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me ndonjë strukturë zyrtare të saj.
Qytetarët duhet të kenë parasysh:
•Policia e Shtetit nuk dërgon kurrë njoftime zyrtare për hetime nëpërmjet emailit.
•Asnjë strukturë policore nuk kërkon që qytetarët të paraqiten në polici, pa një thirrje zyrtare të firmosur dhe të protokolluar.
•Qëllimi i këtyre mesazheve është mashtrimi dhe përhapja e frikës tek qytetarët.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të mos iu përgjigjen dhe të mos shpërndajnë emaile me përmbajte të tillë.
Gjithashtu, informojmë se rasti është në hetim nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.