Meta përkrah protestën në Orikum, kreu i PL-së përshëndet nga burgu propozimin e opozitës: E mira është të bëhen 100 bashki në vend (RAGIMI)

Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë njëherazi dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka reaguar pasditen e kësaj të marte në mbështetje të protestës së qytetarëve të Orikumit të cilët kundërshtojnë statusin administrativ të vendit të tyre, duke kërkuar rikthimin e tij në Bashki.

Sipas Ilir Metës, koha ka treguar se bashkimi i Orikumit me Vlorën ka qenë një dështim më vete, ndërsa shton se vendi në fjalë ka një ekonomi goxha të zhvilluar, duke përmendur këtu turizmin malor dhe atë bregdetar.

“Mbështetje të plotë për protestën e banorëve të Orikumit për rikthimin e statusit të Bashkisë Orikum! Partia e Lirisë mbështet fuqimisht kërkesën plotësisht legjitime të banorëve të Orikumit për rikthimin e Bashkisë së tyre. Faktet kanë provuar dështimin total të eksperimentit të shkrirjes së saj me Bashkinë Vlorë. Potencialet për zhvillimin e Orikumit, që të jetë Bashki më vete, janë të jashtëzakonshme, nga turizmi malor te ai bregdetar, që mund të krijojnë mirëqënie dhe vende pune për mijëra familje” shkruan Ilir Meta në reagimin e bërë ditën e sotme.

Më tej kreu i PL-së vijon me reagimin e tij duke hedhur akuza mbi bashkinë e Vlorës, për të cilën thotë se sot e kësaj dite nuk kanë arritur të zgjidhin problematikat e qytetit, të tilla si: ujin e pijshëm, menaxhimin e mbetjeve urbane e shërbimet bazë të qytetarëve. Duke theksuar se Orikumi nuk duhet të trajtohet si aneks i Vlorës, Meta përkrah propozimin e opozitës për krijimin e 100 bashkive në vend.

Reagimin e tij të bërë nga prapa hekurave, Meta e përmbyll me akuza ndaj Bruna Mersinit  për të cilën shkruan se po përgatit plane për betonizimin total të qytetit bregdetar që ajo drejton.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

Back to top button
LAJMET E FUNDIT