Ervin Salianji “nuk kursen” aspak Sali Berishën: Je në delir politik dhe po mban në këmbë Ramën! Prodhuat vetëm një xhiro në bulevard

Pas përfundimit të protestës së opozitës, ka ardhur edhe reagimi i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili këtë herë zgjodhi të mos marrë pjesë në tubim.

Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji ka ironizuar protestën e së djathtëve, duke theksuar kështu se ky aksion nuk pati asnjë efekt. Ai ka shprehur pakënaqësitë ndaj lidershipit të opozitës, teksa ka nënvizuar mungesën e strategjisë dhe vizionit përballë qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

“Si gjithmonë lidershipi premtoi rrëzimin e Ramës, por prodhuan vetëm një xhiro në bulevard. Keshtu jo vetëm që nuk rrëzohet Edi Rama, por në fakt po e mbahet në këmbë. Fajin për korrupsionin e ka Rama dhe jo qytetarët, bizneset dhe rrugët e Tiranës”, shkruan Salianji, duke akuzuar kështu Berishën dhe deputetët që i qëndrojë pas vetes se janë duke menduar vetëm për “karriget” e tyre.

Reagim i tij vjen pas protestës së opozitës, në një ditë simbolike për demokratët, 22 Marsin, , të cilën ai e lidh me vlerat e pluralizmit dhe themelimin e Partisë Demokratike, duke theksuar se kjo datë nuk duhet të përdoret për interesa personale, por si një thirrje për reflektim dhe rikthim te gara demokratike dhe zgjedhjet si rrugë e vetme për ndryshim politik.

Postimi i plotë i Ervin Salianjit

Si gjithmonë lidershipi premtoi rrëzimin e Ramës, por prodhuan vetëm një xhiro në bulevard. Keshtu jo vetëm që nuk rrëzohet Edi Rama, por në fakt po e mbahet në këmbë. Fajin për korrupsionin e ka Rama dhe jo qytetarët, bizneset dhe rrugët e Tiranës!

Protestuesit kundër Ramës janë heronj. Edhe pas 13 vitesh, ata vazhdojnë të qëndrojnë, të rezistojnë dhe të reagojnë përballë një qeverisjeje të degraduar dhe thellësisht të korruptuar si ajo e Edi Ramës.

Policia e Ramës sillet joprofesionale dhe mbyt me gaz qytetin por fatkeqësisht, lidershipi i opozitës është pa strategji, pa vizion dhe i zhytur në premtime fantazmagorike e në delir politik. Pa asnjë lidhje me pritshmëritë reale të shoqërisë. Të trembur vetëm nga humbja e karrigeve të tyre, ata as dinë dhe as duan të dëgjojnë zërin e demokratëve që kërkojnë ndryshim të vërtetë që mundëson largimin e Ramës!

Qytetarët e Tiranës nuk kanë pse mbajnë asnje kosto shtese prej keqqeverisjes, as gazin as molotovët!

22 Marsi është dita e pluralizmit shqiptar. Dita e kthesës historike pas 45 vitesh vrasjesh, persekutimi dhe shtypjeje të ndërgjegjes. Institucioni politik që krijuan shqiptarët e lirë dhe të guximshëm ishte Partia Demokratike e Shqipërisë: partia e rinisë, e intelektualëve të lirë, e ndryshimit dhe e shpresës europiane.

Kjo është simbolika e 22 Marsit. Kjo datë nuk mund dhe nuk duhet t’i shërbejë kultit të personalitetit të askujt.

Sepse Partia Demokratike nuk u krijua për të mbajtur karrige, por për të rrëzuar regjime. Dhe kush e ka harruar këtë, është bërë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.

Zgjidhja është e qartë: gara, vota dhe zgjedhjet. Vetëm kështu Partia Demokratike mund të rikthehet fituese!

P.s. u prit te largohej Balluku qe te hidheshin disa fishekzjarre tek Ministria e Infrastruktures

Back to top button
LAJMET E FUNDIT