Emisari special amerikan flet për “lajme të mira”: Zoti po na përgatit për rikthimin e Hashim Thaçit

I Dërguari Special Presidencial i Shteteve të Bashkuara për Misione të Veçanta, Richard Grenell e ka quajtur lajm të mirë vendimin e presidentes Vjosa Osmani për të shpallur zgjedhje të reja në Kosovë, pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri.

Sipas tij, kjo është një shenjë se Hashim Thaçi do të rikthehet shpejt në Kosovë dhe do të jetë sërish kryeministër.

“Lajm i shkëlqyer. Zoti po na përgatit të gjithëve për rikthimin e Hashim Thaçi! Thaçi për Kryeministër”, ka shkruar Richard Grenell në platformën “X”. Ai ka shërbyer edhe si i dërguar për dialogun Kosovë-Serbi gjatë viteve 2019-2021.

Mëngjesin e 6 Marsit (dje) presidentja Vjosa Osmani e nxori një dekret përmes të cilit e shpërndau Kuvendin e Kosovës dhe më pas i takoi partitë opozitare, përfshirë ato kryesore si Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për të biseduar për datën e zgjedhjeve të reja.

Partitë opozitare thanë pas takimit me Osmanin se janë të gatshme për zgjedhje të reja parlamentare, që do të ishin të tretat brenda një periudhe rreth njëvejçare. Vetë presidentja nuk foli pas takimit dhe nuk është e qartë se kur do të shpallë zgjedhje të reja.

Kryeministri Albin Kurti e shpërfilli takimin dhe tha më vonë për shtyp se dekreti i presidentes Vjosa Osmani është “jokushtetues” dhe se vendi nuk ka nevojë për një palë zgjedhjes të reja. Ai nguli këmbë se vendi ka rreth 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri.

Instituti Demokratik i Kosovës tha se vendi mund të futet “në një situatë të paqartësisë kushtetuese”, si rezultat i mos arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit. Ndërsa Bashkimi Evropian shprehu “keqardhje” për këto zhvillime.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT