‘Shpërthen’ Fleckenstein: Reforma zgjedhore të behet me parlamentin aktual (pa opozitën)

Europarlamentari Knut Fleckenstein ka bërë një deklaratë të fortë këtë të mërkurë duke u shprehur se reforma zgjedhore mund të behet dhe me parlamentin ekzistues, duke nënkuptuar kësisoj se opozita pa mandate mund të lihet jashtë.
Më tutje Fleckenstein është shprehur se prej disa ditësh në Evropë po dëgjohen sinjale negative për Shqipërinë, por duke mos e shpjeguar më tej se për çfarë “sinjalesh” bëhet fjala.
“SPAK shumë shpejt do të formohet dhe Ministrja e Drejtësisë më ka thënë se do të jetë kuorumi për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Këto janë lajme shumë të mira që do të ndikojnë në vendimin e qershorit. Unë e kam shprehur opinionin tim se çfarë po ndodh aktualisht në Parlament dhe nuk dua ta përsëris. Jam i lumtur që edhe zv.Ndihmës Sekretari i SHBA, Palmer, ka të njëjtin mendim si neve në Bashkimin Europian. Jam i lumtur që ky Këshill po vazhdon punën, ne na duhen sinjale pozitive, pasi në Europë tani po dëgjojmë disa sinjale negative dhe është e rëndësishme t’i shohim gjërat nga një këndvështrim tjetër. Ajo çfarë jemi dakord si Parlament Europian dyert tona janë të hapura si për parlamentin si për PD. Unë jam optimist, një optimist i kujdesshëm, për sa i përket ecurisë”, ka thënë Fleckenstein sot gjatë mbledhjes në Këshillin Kombëtar të Integrimit pranë kryesisë së kuvendit në Tiranë.