E konfirmon këshilltari i Trump, ja sa i ka kushtuar SHBA-së lufta me Iranin

Kostoja e luftës në Iran deri më tani ka arritur të paktën 12 miliardë dollarë për Uashingtonin. Këto shifra i ka konfirmuar këshilltari i lartë ekonomik të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili foli të dielën për rrjedhën e konfliktit dhe ndikimin e tij ekonomik.
Kevin Hassett, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar, tha se kostoja totale e luftës pritet të vazhdojë të rritet, ndërsa minimizoi mundësinë e një nevoje të menjëhershme për fonde shtesë nga Kongresi.
“Shifra e fundit që më thanë ishte 12 miliardë dollarë, kështu që kjo mbetet në përputhje me atë që kemi. Këto janë operacione për të cilat ne tashmë kemi armët dhe asetet e nevojshme, kështu që nuk kemi domosdoshmërisht nevojë për ndonjë financim shtesë”, tha Hasset.
Lufta, e cila filloi më 28 shkurt nga forcat amerikane dhe izraelite, tani është në javën e tretë.
Nuk është plotësisht e qartë se për cilën periudhë të konfliktit iu referua Hassett, por ai tha se ishin para “që janë shpenzuar deri më tani”.
Në fund të javës së kaluar, ligjvënësve amerikanë iu tha se kostoja e luftës në Iran ishte rreth 11 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi të përafërt.
Në të njëjtën kohë, kanë qarkulluar vlerësime se madhësia totale e një pakete të mundshme shtesë financimi për luftën mund të arrijë rreth 50 miliardë dollarë.