Arena Kombëtare, Shqipëria në hartën e stadiumeve më të bukur të Europës

Arena Kombëtare, impianti më i madh sportiv në vend po merr formë dita ditës dhe brenda pak muajve futbolli shqiptar do të ketë një shtëpi të re me të cilën do të përfaqësohet denjësisht në kompeticionet e rëndësishme sportive.
Kryeministri Edi Rama duke dhënë detaje nga puna për këtë vepër ka uruar një të diel të bukur për të gjithë shqiptarët. “Me këtë speciale të ERTV mbi një projekt që do ta fusë Shqipërinë në hartën e stadiumeve më të bukur të Europës, ju uroj një të dielë të bukur”, tha Kryeministri.
Zanafilla e tij ka nisur në gusht të vitit 1939, projektuar me 15 mijë vende dhe përfunduar në vitin 1946 me emërtimin “Qemal Stafa”, emër të cilin e mbajti deri qershor të vitit 2016.
Stadiumi i ri projektuar për 22 mijë vende është në dorën e një prej arkitektëve më në zë të kohës, njëkohësisht profesor në Fakultetin e Arkitekturës të Xhenoas, Marco Casamonti.
Së bashku me ekipin e tij ka bërë një punë të rëndësishme për katalogimin e pjesëve historike, pastrimin dhe rivendosjen e tyre, pjesë të cilat përbëjnë fasadën kryesore, vepër e famshme e e Gerardio Bosio.
“Pjesa integrale e tij do të jetë edhe hyrja kryesore e cila falë një pune të kujdesshme u çmontua nga stadiumi i vjetër dhe u rivendos në stadiumin e ri modern ku kombëtarja do të zhvillojë ndeshjet e saj. Puna ishte të katalogonim të gjitha pjesët, t’u vendosnim nga një numër një e nga një dhe t’i magazinonim. Duke i çmontuar, i kemi pastruar me leckë të lagur me ujë me sapun për t’u hequr papastërtitë që ishin grumbulluar në vite”, tha Casamonti.
Sipas tij, pasi u rindërtua godina e re u rivendos edhe tribuna kryesore që është edhe vepra kryesore e Bosios në pozicionin identik si ishte dhe në sinkron me infrastrukturën urbane që ndodhet përreth.
Sipas tij, pasi u rindërtua godina e re u rivendos edhe tribuna kryesore që është edhe vepra kryesore e Bosios në pozicionin identik si ishte dhe në sinkron me infrastrukturën urbane që ndodhet përreth.
“Bazamentet janë të gjitha origjinale. Aty ku mungonin pjesët, kemi gjetur disa punues guri shumë të aftë që i kanë punuar dhe rregulluar”, tha ai.
“Fillimisht, menduan se ishte e pamundur të bëhej kjo në Shqipëri, por në të vërtetë ishte më e lehtë se në Itali. Ka disa artizanë të shkëlqyer”, tregoi arkitekti.
Stadiumi i ri është projektuar si një teatër romak ose grek me tre pjesë për publikun dhe një skenë që është tribuna VIP. Elementi historik është ai që mbizotëron. Gjithë stadiumi ka elementin e kolonave që simbolizon stilin e viteve ’30, element ky i lidhur ngushtë me periudhën historike. Janë mbi 3 mijë kolona që rrethojnë Arenën Kombëtare mbi të cilat janë gdhendur motive të veshjeve shqiptare.
“Do të bëhet muzeu i qytetit dhe muze i Federatës Shqiptare të Futbollit. Do të realizojmë edhe videot me përmbajtje origjinale. Shpresojmë t’i japim Tiranës dhe Shqipërisë rikonstruksionin e një pjese të historisë”, shprehet arkitekti.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përgëzoi punën e bërë duke theksuar se rikonstruksioni që po i bëhet dokumentacionit, edhe me video, pasi si tha ajo, ndoshta të rinjtë nuk e dinë, por kjo është një pjesë e munguar e historisë së qytetit që edhe vetë shqiptarët shpeshherë nuk e njohin.
Aktualisht, punimet po vazhdojnë me vendosjen e stolave në pjesën e tribunave, por edhe me vendosjen e mbulesës. Kanë përfunduar pothuajse punimet në pjesën e nëntokës së stadiumit të ri.
“Për mua, pjesa më e mrekullueshme është restaurimi urban. Një pjesë e rëndësishme janë edhe punimet nëntokë. Më parë, njerëzit parkonin makinat para stadiumit”, tha arkitekti Casamonti