“Djali nuk i ha dot kotoletat e pulës në vend tjetër!” Klevis Disha fiton betejën me britanikët, i jepet leja e qëndrimit dhe “shkak” bëhet i biri

“Djali nuk ha dot kotoletat e pulës në vendet e tjera”, ky argument i ka dhënë dritën jeshile shqiptarit për të vijuar të qëndrojë në Britani.

Klevis Disha, 39 vjeç, një emigrant shqiptar, ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar pas një beteje të gjatë ligjore, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve për deportimin e tij.

Disha kishte hyrë ilegalisht në Britani në vitin 2001, kur ishte vetëm 15 vjeç. Vetëm dy ditë pas mbërritjes, ai paraqiti një kërkesë për azil, duke pretenduar se kishte lindur në ish-Jugosllavi në vitin 1986 dhe kishte një identitet tjetër.

Kërkesa iu refuzua pas nëntë muajsh, pasi autoritetet nuk u bindën nga argumentat e tij. Megjithatë, pas një procesi apelimi që zgjati rreth katër vite, në vitin 2005 ai përfitoi leje qëndrimi të përhershme.

“Djali nuk i ha dot kotoletat e pulës në vend

Klevis Disha

Një vit më vonë ai krijoi familje me një partnere me origjinë shqiptare dhe së bashku kanë dy fëmijë.

Mirëpo, problemet ligjore për Dishën nisën sërish në vitin 2017, kur ai u dënua me dy vite burg pasi u kap me 250 mijë paund para të gatshme, të cilat nuk mundi t’i justifikonte dhe u konsideruan të ardhura kriminale. Sipas ligjit britanik, një dënim mbi një vit zakonisht çon në deportim automatik. Në vitin 2019, pas nëntë muajsh burg, atij iu komunikua se do të përballej me dëbim dhe humbje të statusit.

Çështja e tij u rikthye në gjykatë dhe në qershor 2024 një gjyqtar vendosi që ai nuk duhet të deportohej për arsye të të drejtave të njeriut. Ministria e Brendshme e apeloi këtë vendim, duke argumentuar se arsyetimi ishte i dobët, duke përmendur edhe faktin se një nga arsyet kryesore lidhej me djalin e tij 11-vjeçar.

Sipas mbrojtjes, fëmija ka vështirësi me ushqimin dhe ndjek një dietë shumë të kufizuar. Një detaj që tërhoqi vëmendje ishte pretendimi se ai nuk mund të konsumonte “kotoletat e pulës” që ofrohen jashtë Britanisë për shkak të ndjeshmërisë ndaj teksturës së ushqimit. Edhe pse nuk ka një diagnozë formale për autizëm, gjykata pranoi se ai ka nevoja specifike.

Pas dhjetëra seancave që zgjatën për më shumë se një vit, gjykatësi Veloso vendosi përfundimisht në favor të Dishës, duke u mbështetur në Nenin 8 të Aktit për të Drejtat e Njeriut, që mbron të drejtën për jetën familjare.

Gjykata arriti në përfundimin se deportimi i tij do të ishte “tepër i ashpër” për djalin, i cili ose do të detyrohej të zhvendosej në Shqipëri, ose të qëndronte në Britani pa të atin.

Gjykatësi hodhi poshtë argumentet e Ministrisë së Brendshme se fëmija flet shqip dhe mund të përshtatet, duke theksuar se ai ka vështirësi reale dhe një dietë të kufizuar që duhet marrë parasysh.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT