I akuzuar për ndërtim pa leje të kompleksit turistik/ Kush është biznesmeni Sait Fishta, që u arrestua me Çilin?

Në prangat e Policisë së Shtetit pas kërkesës së Prokurorisë së Përmetit përveç botuesit Henri Çili ra edhe biznesmeni Sait Fishta. Ky i fundit nuk është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Ai është administratori i shoqërisë “Fishta shpk “. Biznesmeni është arrestua më parë pas urdhrit të lëshuar nga Prokuroria e Shkodrës, sepse akuzohej për ‘Ndërtim të paligjshëm në tokë publike’. Në zonën e Velipojës, Fishta akuzohet se kishte përfituar një leje ndërtimi në mënyrë të paligjshme për ndërtimin e një kompleksi turistik me 9 pallate. Por ai më pas u lirua nga Gjykata e Apelit të Shkodrës., që e cilësoi të paligjshëm arrestimin e tij.
Fishta ka mbajtur më parë detyrën e ish kryetarit të Komunës së Velipojës.
Ndërkohë në 2013, emri i tij rezultoi në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Pavarësisht se nuk arriti të futej në parlament Fishta renditej i 6 në këtë listë.
Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, u vunë në pranga edhe Drejtori Juridik i UET-së, Ilir Korbi, dhe 9 persona të tjerë.
Çili akuzohet se kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar nga burgu anëtarët e bandës së Lazaratit.
Mësohet se Çili ka pasur komunikime me babanë e Alban dhe Arbjon Alikos të arrestuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha.
Ka dyshime se Çili i mori shuma të konsiderueshme parash, apartament, dyqan dhe prona të tjera me premtimin se do e ndihmonte të nxirrte nga burgu dy djemtë e tij. Çili dyshohet se i ka premtuar se do të ndikonte në vendimin e gjykatës.