Unioni i bizneseve shqiptaro-gjermane po promovon prodhimet e Kosovës në Perëndim

Më qëllim promovimin e produkteve vendore, Unioni i bizneseve shqiptaro-gjermane në Gjermani, është themeluar para pesë viteve dhe tashmë numëron rreth 300 firma anëtare të cilat bashkëpunojnë mes vete.

Vllaznim Kelmendi, Drejtor i financave në këtë Union, thotë për KosovaPress se ata po bashkëpunojnë edhe me bizneset vendore në Kosovë, në mënyrë që prodhimet e tyre t’i eksportojnë jashtë.

Ai deklaron se kompanitë në Kosovë tashmë po ofrojnë produkte me cilësi të lartë.

“Natyrisht, qëllimi kryesor i Unionit është dhe do të mbetet që produktet vendore, sa më shumë, të merren dhe të eksportohen në tregun e Evropës Perëndimore, duke e pasur parasysh që ka nevojë shumë të madhe, dhe qëllimi ynë kryesor është që ne mos të vijmë t’i bëjmë konkurrencë prodhimeve dhe fabrikave të Kosovës, por ne lidhim kontrata me ta që ata të na furnizojnë neve me këto produkte të cilat i kanë këtu”, thotë Kelmendi.

Kelmendi deklaron se ky Union ka gëzuar mbështetje edhe prej Ministrisë së Diasporës, por kryesisht nga kryesia e anëtarëve.

Sipas tij, falë këtij Unioni, qindra biznese shqiptare po bashkëpunojnë mes veti.

“Një falënderim i veçantë shkon për Kryesinë e Unionit, të cilët çdo lëvizje, çdo financim, e kanë bërë prej kostove të firmave të veta, por edhe anëtarët tanë të cilët kanë besuar dhe e kanë parë si një projekt që është i domosdoshëm që të krijohet Unioni, rrjetizimi i bizneseve shqiptare. Është një prej projekteve, unë e vlerësoj ashtu, më të mira që ka ndodhë ndonjëherë për diasporën tonë. Sot, qindra biznese shqiptare në Gjermani, Evropë por edhe gjithkund në botë, falë Unionit, falë rrjetizimit, që janë lidhur mes vete, janë njoftuar dhe bashkëpunojnë mes veti”, ka thënë Kelmendi.

Në këtë Union, siç shpjegon ai, bizneset janë të profileve të ndryshme, por kryesisht të ndërtimtarisë dhe shpjegon se përse nuk u themelua më herët ky institucion.

“Kishim pasur dëshirë edhe kishte me qenë kënaqësia jonë shumë e madhe që ne ta kishim organizuar këtë union para 20 viteve, po fatkeqësisht, këto firma që ne sot i kemi anëtare, janë kryesisht të themeluara para 5 ose 10 viteve, dhe firmat më të vjetra që i kemi, janë diku 15 vjeçare. D.m.th., nuk kanë qenë kushtet që ta bëjmë këtë organizim. Dhe vetëm kur ne e kemi parë që janë krijuar kushtet edhe mundësitë, dhe falë punës dhe angazhimit të shqiptarëve që jetojnë në diasporë, përkatësisht tash në Gjermani, që kanë bërë firma e kompani shumë serioze, jo vetëm që janë firmat më të mëdha në qytetet ku veprojnë, por ndoshta edhe në nivel të Gjermanisë, është krijuar Unioni”, deklaron ai.

Lidhur me Javën e Bizneseve të Diasporës që mbahet në Kosovë, Kelmendi thotë se po synojnë që t’i afrojnë bizneset e ndryshme mes veti përmes takimeve B2B.

“Qëllimi i këtij organizimi është që të kemi në radhë të parë njoftimin e biznesmenëve dhe afaristëve shqiptarë kudo që jetojnë, dhe në radhë të dytë është organizuar një takim që do të jetë B2B, ku kanë mundësi firmat që vijnë nga Evropa dhe nga bota të kenë kontakt direkt me kompanitë dhe prodhuesit e Kosovës”, pohon Kelmendi.

Gjatë intervistës, Kelmendi deklaroi se kanë projekte të mëdha, me anë të së cilave po synojnë ta forcojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin mes shqiptarëve./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT