Çmimi i naftës ulet në botë por rritet në Shqipëri! Ministria e Ekonomisë takohet me kompanitë e hidrokarburanteve: Gjoba të rënda kush abuzon

Çmimi i naftës në tregun shqiptar ka pësuar një rritje të papritur në treg, ndërsa mësohet se Ministria e Ekonomisë po zhvillon një takim me kompanitë e hidrokarburanteve.
Në disa pika të karburanteve çmimi i naftës u rrit deri në 198 lekë litri, duke u shtrenjtuar me 25 lekë që prej 4 marsit, dita e parë e rritjes së çmimit të naftës.
Burime për mediat bëjnë me dije se Ministria e Ekonomisë mblodhi në një takim kompanitë e hidrokarbureve ditën e sotme për rritjen e pajustifikueshme të çmimeve. Gjatë takimit mësohet të jetë diskutuar për kontrollin e kompanive.
Paraprakisht mësohet se do të shtohen kontrollet nga ministria e Financave dhe e Energjisë, për çdo ditë. Ndërsa është bërë me dije se nëse konstatohen abuzime, do të ketë masa ndëshkuese nga sekuestro deri tek gjoba 10 fish më të larta sa tani.
Nga ana tjetër Konfindustria i ka bërë thirrje polciisë të ndërtojë impiantin e përpunimit të naftës shqiptare, përndryshe çmimi i naftës në treg mund të arrijë në 250 lekë për litër, siç ndodhi në 2022 kur pasojat e luftës në Ukrainë i vuajtën dhe shqiptarët.
Reagimi i Konfindustrisë: Konfindustria i kërkon qeverisë të fillojë sa më shpejt projektin e ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare, si mënyra më efektive për përballimin e pasojave të paparashikuara ekonomike dhe sigurisë kombëtare nga lufta në Gjirin Persik. Në këtë rast kërkohet, që të ndryshojë Buxheti 2026, me qëllim përfshirjen e shpejtë të ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare në vend si investim shtetëror.
Gjithashtu, kërkohet të përmirësohet thelbësisht organizimi i prodhimit, tregëtimit, ngarkesës fiskale dhe monopolizimit të sotëm të gjithë tregut të hidrokarbureve. Është krejtësisht e papranueshme, që Shqipëria si vend zotërues i rezervave të mëdha të naftës, të jetë në varësi të plotë të importeve dhe lëvizjeve të cmimeve të tregjeve botërore.
Çmimi i naftës në tregun shqiptar po arrin në kufirin e 200 lekë/litër dhe parashikohet, që shpejt të rrezikojë tejkalojë kufirin e 250 lekë/litër të vendosur në vitin 2022 në rastin e fillimit të luftës në Ukrahinë. Ndërtimi i impiantit shqiptar të përpunimit të naftës vendore është mjeti më efektiv i përhershëm për të lehtësuar pasojat shkatërruese ekonomike dhe financiare nga furnizimet dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. karburanteve.