Begaj takohet me Fra’ John T. Dunlap: Shqipëria dhe Urdhri i Maltës zgjerojnë bashkëpunimin

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të enjte Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap.

Gjatë këtij takimi, presidenti i Republikës vlerësoi historinë e suksesshme dhe të frytshme të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, si një dëshmi e marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësore.

Në takim u shpreh vullnet i përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Kreu i Shtetit i përcolli Fra’ John T. Dunlap falënderime për ndihmën e vazhdueshme që Urdhri Sovran i Maltës i ka dhënë Shqipërisë përmes projekteve në fusha të ndryshme, si: shëndetësia, arsimi, ndihma sociale, emergjencat dhe mbrojtja civile, të realizuara nga trupa vullnetare e Malteser Albania, e cila funksionon në vendin tonë prej 3 dekadash.

Presidenti Begaj shprehu në takim frymën harmonike mes besimeve dhe feve në Shqipëri.

“Kjo harmoni, është një trashëgimi historike për Shqipërinë, e cila ka dëshmuar një shembull në këtë drejtim”, tha ai.

Urdhri Sovran i Maltës nxit dhe mbështet integrimin e  Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe, në këtë kontekst, presidenti Begaj i shprehu falënderime Fra’ John T. Dunlap.

“Megjithatë, Evropa e Bashkuar, do të ishte e paplotë pa Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.

Në këtë kuadër, kreu i Shtetit theksoi se do të vlerësonte së tepërmi kontributin e Urdhrit Sovran të Maltës në zgjerimin e mëtejshëm të hartës së njohjeve zyrtare të pavarësisë së Kosovës, një kontribut për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkan.

Me qëllimin për të forcuar më tej lidhjet tashmë të konsoliduara të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Begaj u nderua me dekoratën Gjerdani i Urdhrit të Maltës “Collar Pro Merito Melitens” nga Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap.

Ndërkohë, Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap, u nderua  nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT