Vetëvrasja e 15 vjeçarit nga Tirana, Pastori Akil Pano: Ofrohem të ndihmojë autoritetet për fëmijët që vriten dhe lënë pas shenja “okulte”

Pastroi i njohur Akil Pano i bën thirrje drejtorit të Policisë së Shtetit dhe Prokurorit të Përgjithshëm, që të ngrenë një grup të posaçëm për ngjarjet që lidhen kryesit me adoleshentët, të cilët vetëvriten dhe lënë pas shenja okulte.
Ai thotë se vetëofrohet të japë ndihmën e tij, nëse Proda dhe Çela do të hetojnë me themel këto ngjarje, duke ju referuar vetëvrasjes së 15 vjeçarit nga Tirana, dy ditë më parë në Sarandë.
“Shpesh herë jemi njoftuar nga media mbi raste ku fëmijë ose adoleshentë kanë humbur jetën tragjikisht dhe nga pas kanë lënë shenja të botës okulte. Këto ‘shenja’ duhet të hetohen nga specialistë të fushës, sikundër hetimi duhet të vijojë dhe në pista të tjera.
Dalja e menjëhershme me përfundimin ‘vetëvrasje’ në ngjarje që duhen hetuar në thellësi, tregon papërgjegjshmëri të theksuar nga ana e organeve përkatëse. Si vetëvrasje!? Pse!? Cilat janë rrethanat, shkaqet, gjendja psikologjike e fëmijës, gjendja familjare, rrethi shoqëror, faktorë të tjerë të jashtëm…etj”, shkruan Akil Pano.
Pastori thotë se në Shqipëri, problemi është se përfundimi nxirret pa nisur hetimi, ose në rastin më të mirë “hetim i sipërfaqshëm”. Adoleshenti nga Tirana kishte shkuar në familjen e dajës së tij në Sarandë, ku u gjet i vetëvarur. Në rrjetet sociale, ai shpërndante video me përmbajtje satanike.
“Historia e djalit nga Tirana, e çdo djali dhe vajze, burri dhe gruaje, apo gazetari ‘që bie nga ballkoni’ kërkon hetim serioz dhe të thellë. Jeta është e Shenjtë dhe duhet mbrojtur me çdo mënyrë. Dinjiteti njerëzor i viktimës pas vdekjes dhe familjes po ashtu.
Dhe një herë, t’ia nisë dikush këtë postim ministrit, drejtorit të policisë së shtetit ose prokurorit të përgjithshëm. Mbase nga këtu, krijojmë një barrikadë për të mbrojtur atë që mund të mbrojmë dhe kemi të çmuar”, përmbyll ai.