A jemi të rrezikuar që Irani të na sulmojë? Rama ironizon Berishën: Të keqen e kemi brenda, siç thonë tironsit, ‘ondrra në beze’

Kryeministri Edi Rama, ashtu si çdo të diel në podcastin e tij të radhës, ka përmbledhur zhvillimet kryesore të javës, duke u ndalur veçanërisht te situata e tensionuar në Lindjen e Mesme, një çështje që sipas tij ka prekur mbarë opinionin ndërkombëtar.

Gjatë fjalës së tij, ai vuri në dukje se vendi ynë gëzon marrëdhënie të mira si me Izraelin ashtu edhe me vendet e Gjirit Persik, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin dhe Kuvajtin, të cilat janë përballur me kërcënime të lidhura me veprimet e Iranit.

Sipas kreut të qeverisë, zhvillimet e fundit janë të ndërlikuara dhe të vështira për t’u parashikuar, ndërsa ofensiva e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli synoi ndalimin e mundësisë që regjimi iranian të zhvillojë armë bërthamore. Në këtë kontekst, prioritet për institucionet shqiptare mbetet siguria e qytetarëve shqiptarë, ndërsa përfaqësitë diplomatike janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase për të monitoruar situatën.

“Në këtë moment edhe për ne, si shumë vende të tjera, prioritet është siguria e qytetarëve shqiptarë, përfaqësitë tona diplomatike janë në kontakt të vazhdueshëm qoftë me ne qoftë me autoritetet vendase, po bëjnë gjithçka për të monitoruar situatën”, tha Rama, teksa më tej u ndal te lajmet e rreme që kanë qarkulluar së fundmi në Shqipëri, për një sulm të mundshëm ndaj vendit tonë.

Duke theksuar se ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria e ka “të keqen” brend vetes, referuar kështu opozitës, ai rikujtoi se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe se çdo kërcënim ndaj një vendi anëtar përballet me reagimin e menjëhershëm të aleancës.

Pjesë nga fjala e Edi Ramës:

Si të gjithë dhe ne jemi të prekur në sensin fatmirësisht jo fizik, por patjetër politikisht, shpirtërisht, njerëzisht nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimi i situatës së sigurisë në një rajon ku kemi miq të jashtëzakonshëm dhe jemi një nga vendet e pakta që kemi një miqësi të fortë njëkohësisht me Izraelin dhe vendet e Gjirit Persik: Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin, të cilat kanë qenë në rrezen e agresionit të killerave të Iranit.

Situata mbetet e ndërlikuar, vështirë të parashihet fundi i një ofensive të nisur me plot të drejtë nga SHBA dhe Izraeli për të ndaluar njëherë e mirë mundësinë që regjimi obskurantist të prodhojë bombën atomike. Në këtë moment edhe për ne, si shumë vende të tjera, prioritet është siguria e qytetarëve shqiptarë, përfaqësitë tona diplomatike janë në kontakt të vazhdueshëm qoftë me ne qoftë me autoritetet vendase, po bëjnë gjithçka për të monitoruar situatën.

 Çështja kyçe e fluturimeve mbetet një sfidë për të gjithë; kjo situatë kërkon qetësi, informim, ndërkohë që ne jemi solidarë me të gjitha vendet e prekura, përfshirë edhe Qipron, një vend mik i cili po ashtu u godit, edhe Greqinë në shenjë të fortë solidariteti për çka ndodh në Qipro, por njëkohësisht dhe Turqinë që po ashtu tentua të goditej nga një raketë e neutralizuar nga NATO. Sa i përket Shqipërisë, ka pasur thashetheme dhe interesante është që ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri të keqen më të madhe ne e kemi brenda dhe burimin më të madh të dizinformimit, të gënjeshtrave, ne ndryshe nga të tjerët nuk kemi pse e kërkojmë gjetkë sepse e kemi këtu dhe nga këtu është prodhuar në mënyrën më kriminale edhe një seri lajmesh për gjoja mundësi të sulmit mbi Shqipërinë, por ju kujtoj që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ashtu sikur NATO e demonstroi në Turqi, që goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, qartësisht kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet e NATO-s.

Kjo shpejtësi reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Me gjithë keqardhjen për të keqen që me siguri nuk e ka aspak problem nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe një sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kot dhe, siç thonë tironsit, “ëndrrën në beze”, se do të përmbyset i ashtuquajturi regjimi i Edi Ramës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT