ZBULOHET versioni i parë i “krim pasionit” në Tiranë: I riu ngacmonte prej kohësh gruan e Buçpapës, çifti u bë bashkë dhe u nisën për t’i marrë jetën, AUTORI në arrati

Detaje të reja kanë dalë në pah në lidhje me vrasjen e Egli Pashollarit të ndodhur ditën e djeshme në zonën e ish-parkut në Tiranë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se shkaku i vrasjes me thikë të 31-vjeçarit janë bërë ngacmimet e shpeshta të gruas së autorit.
Gruaja e autorit punonte shitëse në një market në afërsi të vendit ku ka ndodhur krimi. Ajo mësohet t’i ketë treguar bashkëshortit të saj për ngacmimet e shpeshta që i bënte Pashollari.
Për rrjedhojë të situatës, Gazment Buçpapaj së bashku me gruan e tij janë nisur për te lokali rreth orës 15:40 ku dhe u konfliktuan me 31-vjeçarin, duke e goditur për vdekje me thikë.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë ata janë larguar nga vendngjarja me makinën e Buçpapës. Pas pak minutash kanë braktisur mjetin dhe kanë marrë një taksi për në banesën e tyre në zonën e Sharrës.
Pasi mbërritën në shtëpi mësohet se Buçpapaj është arratisur dhe aktualisht vijojnë kërkimet për gjetjen e tij.
Sakaq, gruaja e tij në dëshminë e dhënë në polici ka zbuluar se viktima e ngacmonte shpesh atë. Gjithashtu në pyetje janë marrë dhe prindërit e autorit të cilët mësohet të kenë mbajtur të njëjtin version të ngjarjes si nusja e tyre.
Në lidhje me këtë ngjarje policia po punon për arrestimin e Buçpapës, ndërsa thuhet se gruaja e tij është lënë e lirë.