Dronët kapin dhe gjobisin 719 qytetarë e 19 tregtarë, bllokohen 33 patenta dhe arrestohen 6 persona

Të paktën 719 qytetarë në të gjithë vendin u gjobitën me 10 mijë lekë secili, për shkak se janë konstatuar duke lëvizur jashtë orarit të ndalim-qarkullimit për shkak të pandemisë së COVID-19. Në krahasim me ditët e tjera vihet re një shtim i madh i këtyre rasteve që kanë ardhur si pasojë e monitorimit me dron, një mënyrë e re e njoftuar dje nga policia e shtetit. Po kështu janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti 33 persona.

Ndërkohë në të gjithë vendin janë konstatuar 19 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative. Ndërkohë në Tiranë dhe Durrës janë arrestuar dy shtetas të cilët janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Në Berat është proceduar penalisht shtetasi P. L., pasi u konstatua duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi.

Në Lushnjë është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi A. M., i cili ka hyrë në Shqipëri nëpërmjet kufirit në Kakavijë, më datë 01.04.2020 dhe duhet të ishte vetëkarantinuar, por është konstatuar jashtë ambienteve të banesës.

Sakaq në Tiranë është arrestuar për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, shtetasi R. K., banues në Tiranë, të cilit iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis sativa. Po në Tiranë është proceduar shtetasi K. L., banues në Tiranë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për verifikim. Në Korçë janë proceduar penalisht shtetasit A. H. dhe A. H., banues në Korçë, pasi nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 9 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT