Kleçka e vendimit të Bankës së Shqipërisë për kreditë dhe krahasimi me Italinë

Nga Ylli Pata

Një vendim i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, pikërisht një ditë pas atij të qeverisë italiane për rastin e kredive, u duk si një akt mjaft i pritur nga shumë shqiptarë, të cilët të prekur nga pasojat e krizës së tërmetit dhe sot të koronavirusit janë vërtetë në vështirësi për të paguar këstet mujore.

Por zbardhja e vendimit doli se ishte një tallje ashiqare me shqiptarët. Me një fjalë: pezullim ka por nëse i do qejfi bankave.

Në shkresën e firmosur nga Guvernatori Sejko theksohej se shtyrja e kredive me tre muaj i lihet në mënyrë fakultative bankave të nivelit të dytë dhe do të jenë ata që do të vendosin nëse kanë pasur vështirësi qytetarët nga kriza që shkaktoi koronavirusi apo jo.

Ky është nonsens, pasi nëse e lë në duart e bankave, këto të fundit mungesën e të ardhurave për të paguar këstin e cilësojnë si një shkelje e kontratës dhe nisin procedurat pëmbarimore pasi ata zotërojnë si peng pasuritë e patundshme që klientët kanë lënë si kolateral.

Ajo që BSH e cilëson si një mënyrë e re e pagesave nuk është gje tjetër, por një riorganizim i kësteve që qytetarëve i rri si lak më i madh në qafë që mund të rritet kësti në muajt në vazhdim.

Qeveria italiane mori vendim ndërprerjen e kredive për 3 muaj duke i dhënë një garanci sovrane bankave si shtet.

Ndërkohë tek ne, edhe pse duket se nëse do të faleshin këstet e 3 muajve mund të arrinim në një shifër të papërballueshme, kështu nuk është.

Kjo pasi bankat tek ne kanë fitime shumë të mëdha për një klient për kreditë e banesave. Ata për më shumë se 10 vitet e para gëlltisin fitimin dhe më pas nisin të mbushin portofolin e kredisë. Që do të thotë, nëse një klient ka marrë një kredi prej 30 mijë eurosh në vitin 2015, sot ai e ka portofolin e kredisë 28 mijë euro, ku as 2 mijë nuk kanë shkuar tek pagesa e tij, edhe pse ka 4 vite si pagues i rregullt i kësteve.

Tre muaj, nuk janë shumë për bankat e nivelit të dytë që hyjnë tek biznesi i madh dhe që punon shumë me qeverinë dhe bizneset e mëdhenj në vend. Ata duhet ta bëjnë këtë edhe si një kontribut i një sektori që ka përfituar shumë dhe nuk ka rënë në krizë edhe si pasojë e politikave shtrenguese gjatë gjithë kohërave të vështira që prej krizës globale të 2008-s.

Duke krahasuar me vendimin që mori qeveria italiane për koronavirusin, thelbi i tyre, edhe pse nuk mund të krahasohet pasi kemi të bëjmë me një shtet të G 7, është pezullimi apo falja për tre muaj i pagesave që qytetarët paguajnë çdo muaj dhe janë litar në qafën e tij.

Qeveria italiane ka pezulluar kreditë për 3 muaj, taksën e makinës për këtë vit, siguracionin për këtë vit, taksat e pastrimit, taksën e pronës, tarifën arsimore, ka falur për 3 muaj faturën e dritave e të ujit. Që edhe tek ne janë gjëra që edhe mund të bëhen.

OSHE është një korporatë shumëmilardëshe që nuk i ka problem tre muaj, kur ka një portofol debiti disavjeçar që ka mbledhur e po mbledh nga klientët.

UKT-ja në kryeqytet gjithashtu me volumin gjigand të buxhetit të tij nuk do ta kishte problem dy muaj falje për konsumatorët. Kështu edhe bashkia, apo bashkite e me radhë.

Këto mund të ishin një veprim më i thjeshtë dhe më i lehtësueshëm për qytetarët, pasi edhe qeveria nuk nxjerr para nga buxheti, por edhe qytetarët marrin frymë duke kursyer gjatë kësaj lufte siç e përsërit shpesh edhe kryeministri Rama.

Shumica e qytetarëve hanë dhe paguajnë faturat prej të ardhurave që marrin. Nëse u reduktohen faturat, i bëhet një lehtësim më i madh sesa tu shpërndahen ndihma që në shumicën e rasteve humbin rrugës….

Back to top button
LAJMET E FUNDIT