Vrasja te ish-Parku dhe plagosja te Deliorgji, policia del me njoftim zyrtar

Dy ngjarje të rënda janë shënuar pasditen e kësaj të premteje në kryeqytet, në zona jo shumë larg njëra-tjetrës. Një 31-vjeçar ka humbur jetën pas goditjes me mjet prerës, ndërsa një tjetër shtetas ka mbetur i plagosur me armë zjarri.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 15:40, në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, dyshohet se gjatë një konflikti është goditur me mjet prerës shtetasi me iniciale E. P., rreth 31 vjeç.

I riu është transportuar drejt spitalit, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Vetëm pak minuta më vonë, rreth orës 15:50, një tjetër ngjarje është regjistruar në Rrugën e Kavajës, në zonën e njohur si Delijorgji.

Dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri shtetasi A. K., 34 vjeç. Ai ndodhet në spital dhe sipas bluzave të bardha është jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se autorët e dyshuar të të dyja ngjarjeve janë identifikuar, por të dhënat e tyre nuk bëhen publike për shkak se hetimet janë në vijim. Uniformat blu po punojnë intensivisht për kapjen e tyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT