Lamallari nderon 3 policët, dy efektivët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar të moshuarën ndërsa mallakastrioti mori flamurin nga toka dhe e vendosi pranë zemrës

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka nderuar ditën e sotme 3 efektivë policie për aktet e veçanta dhe përkushtimin e tyre maksimal ndaj punës.

Bëhet fjalë për efektivët Erixhon Senko e Francesko Hoxha të cilët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar nga mbytja një 59-vjeçare, dhe policin mallakastriot Edison Mehmetaj i cili në protestën e PD-së më 22 mars, mori flamurin kombëtar nga toka dhe e vendosi pranë zemrës.

Përmes një postimi të bërë në rrjet, Lamallari bën me dije se ka nderuar efektivët të cilët i ka vlerësuar si 3 shembuj të veçantë të dinjitetit, kurajos dhe përkushtimit në punë.

Postimi i plotë i Besfort Lamallarit:

Mirëprita dhe nderova sot me një kënaqësi të veçantë tre shembuj të gjallë të dinjitetit dhe kurajos së uniformës së Policisë së Shtetit; Erixhon Senko, Francesko Hoxha dhe Edison Mehmetaj.

Erixhoni dhe Francesko shpëtuan jetë në ujërat e lumit Buna, ndërsa Edisoni ngriti nga toka flamurin tonë kombëtar të hedhur përtokë mes morisë së gurëve, fishekzjarrëve dhe molotovëve drejtuar atij dhe kolegëve gjatë protestës së fundit.

Me profesionalizmin e tyre na dëshmuan se heroizmi nuk kërkon zë, por zemër dhe guxim. Njerëz të thjeshtë, me akte të jashtëzakonshme që na bëjnë të gjithëve krenarë. 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT