Vallja e Ngjalës, thurja me gjilpërë dhe Vallja Dyshe Myzeqare shpallen Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale shpalli në mbledhjen e radhës disa thesare që mbajnë gjallë shpirtin, historinë dhe identitetin tonë kombëtar, si “Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.
Bëhet fjalë për pasuri të rrënjëve shqiptare, të cilat duhet t’i ruajmë, t’i trashëgojmë me krenari dhe t’i përcjellim me dashuri tek brezat, sepse aty rreh zemra e vërtetë e Shqipërisë. Ato janë:
– Dijebërja dhe format e përdorimit të veshjes tradicionale të gruas dhe vajzës zadrimore;
– Vallja e Ngjalës;
– Vallja Dyshe Myzeqare;
– Dijebërja e qeleshes (plisi, kësula, kapuçi, qylahi, kapica, takija, qylafi);
– Tradita e thurjes me gjilpërë me oje/ojna/ojma/cimb.
Jo vetëm zakone apo forma arti, këto pasuri janë rrënjët tona, kujtesa e gjallë e brezave dhe identiteti që na bashkon si komb, thotë Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
KKTKJ-ja është organ kolegjial vendimmarrës pranë ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe përbëhet nga 11 anëtarë: ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, që e kryeson, dhe 10 anëtarë që emërohen prej tij.