“Ters” në Librazhd! Pas dëmtimit të segmentit rrugor dhe urës, shkatërrohet edhe traseja e hekurudhës, qytetarët probleme edhe me energjinë

Zona e Librazhd dhe fshatrat përreth po përballen me një situatë dramatike pas dëmtimeve të rënda në infrastrukturë, të shkaktuara nga zhvendosjet masive të tokës në disa segmente kyçe.
Fillimisht u raportua për dëmtimin e segmentit rrugor që lidh Librazhdin me Përrenjasin dhe qytetet juglindore. Por burime për mediat bëjnë me dije se së fundmi situata është rënduar më tej edhe me shembjen e plotë të një pjese të linjës hekurudhore Elbasan-Librazhd-Përrenjas-Gur i Kuq.
Sipas informacioneve paraprake, bazamenti i hekurudhës në segmentin Librazhd-Xhyrë ka pësuar dëmtime serioze si pasojë e fundosjes dhe rrëshqitjes së tokës. Kjo pjesë e trasesë, e cila kalon paralel me rrugën automobilistike dhe me lumin Shkumbin, është dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme.
Ndërkohë, problematikat nuk ndalen me kaq. Është konstatuar edhe dëmtimi i bazamentit të shtyllës nr. 15 të linjës së tensionit të lartë 110 kV, një nyje e rëndësishme për furnizimin me energji elektrike të zonës. Zhvendosja e saj përbën rrezik për stabilitetin e rrjetit energjetik, ndërsa specialistët vijojnë monitorimin intensiv për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
Autoritetet pritet të ndërhyjnë me masa emergjente, ndërsa banorët e zonës mbeten në pritje të zgjidhjeve konkrete për rikthimin e normalitetit.