Pse edhe faktori politik shqiptar në Luginën e Preshevës ka probleme me faktorizimin?

Situata politike e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë qoftë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi apo Serbi, fatkeqësisht nuk po ja del dot që të faktorizohet apo të bashkohet.
Përsa i përket situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës është e ditur tashmë se ata kanë kaluar nëpër një rrugë të vështirë lufte, privimit të të drejtave fetare, kombëtare dhe jo vetëm.
Të gjendur përballë një situate të tillë ku më parë i ka luftuar sistemi i Millosheviçit, por edhe më pas sistemi aktual i republikës serbe, në të shumtën e rasteve shqiptarët e Luginës janë detyruar të emigrojnë e të braktisin vendin e tyre.
Por duhet thënë që nuk ka qenë vetëm represioni i vazhdueshëm i shtetit serb ai që ka ndikuar në largimin dhe uljen e ndjeshme të popullsisë shqiptare në Luginë, por gjithashtu edhe përçarja e vazhdueshme mes partive politike dhe në përgjithësi mes komunitetit shqiptar atje.
Lugina përbëhet nga tre komuna: Medvegjë, Bujanovc, dhe Preshevë. Këto janë komuna me shumicë shqiptare, por siç e cekëm edhe me sipër përgjatë viteve ka pasur shumë lëvizje e largime të shqiptarëve.
Kjo si pasojë e politikës regresive që ka ndjekur udhëheqja e Beogradit, dhe nga ana tjetër edhe si shkak i mosreagimit e mungesës së mbështetjes së shtetit amë shqiptar.
Vetëm në fund të vitit që lamë pas, qeveria shqiptare kishte menduar për të thirrur në një takim përfaqësues të faktorit politik shqiptar në Luginë. Ministri jonë i jashtëm z. Cakaj kishte ftuar përfaqësues nga dy komunat e Luginës, Preshevë e Bujanovc, por mungonte në takim një përfaqësues i Medvegjës. Veprim ky që rriti edhe më shumë pakënaqësinë.
Në Luginën e Preshevës ka disa subjekte politike që veprojnë prej vitesh, por që njëjtë edhe si në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ja kanë dalë që të faktorizohen e të bëhet bashkë kundër politikave asimiluese serbe. Kjo u pa qartë edhe në zgjedhjet e fundit vendore për komunat ku subjektet partiake atje u ndanë në dy grupime.
Veprim ky çfarë solli rënie të votave për partitë e tyre. Por nuk është vetëm kjo arsyeja. Vetëm në zgjedhjet e fundit janë vërejtur më shumë se 1 mijë votues që kanë pasur problem me adresat e për pasojë nuk kanë mundur që të votojnë. Ky ka qenë një shqetësim i ngritur edhe nga katër përfaqësuesit e partive politike shqiptare në vend.
Ideja për t’u bashkuar faktori politik shqiptar në Luginën e Preshevës është një zgjidhje që do t’i shërbejë në perspektivë të gjithë shqiptarëve atje, por edhe do ta forcojë më shumë faktorin politik duke i dhënë edhe deri në tyre deputetë në parlamentin serb.
Duke e kthyer kështu në një faktor vendimarrës si asnjëherë më parë. Por që kjo të ndodhi nuk duhet lënë jashtë edhe komuna e rëndësishme e Medvegjës. Komunë kjo që aktualisht përbën gjysmën e territorit fizik të Luginës.