Më në fund ka një marrëveshje mes qeverisë Rama dhe Kurti

Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë pasur jo pak qëndrime të kundërta në këto muaj të fundit, ku kulmi ka qenë në lidhje me Shengenin ballkanik. Por pavarësisht kësaj, qeveritë Rama dhe Kurti, janë angazhuar që të mund të bashkëpunojnë dhe dakordësimi i parë mes tyre ka ardhur.
Kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca publikoi deklaratën e përbashkët me homologun e tij nga Shqipëria, Gent Cakaj. Të dy ata, mbështesin bashkimin e partive shqiptare në Luginën e Preshevës.
Partitë shqiptare në Serbi kanë arritur një koalicion për zgjedhjet e prillit.
“Në cilësinë e drejtuesve të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë nënvizojmë edhe njëherë rëndësinë e mbështetjes së koalicionit të partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës. Ky koalicion është thelbësor për ngritjen e frymës kombëtare dhe ruajtjen e të drejtave politike të shqiptarëve në Luginë. Ndaj, ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për ta mbështetur projektin e Luginës së Bashkuar deri në fund!”, shkroi Konjufca në Facebook.