SPAK e akuzon për vrasjen e xhaxhait të “Fantazmës”, Safet Bajri bën përpjekjen e fundit për të dalë nga qelia, Gjykata e Lartë i tha “JO”

Safet Bajri alias Safet Rustemi i është drejtuar me kërkesë zyrtare Gjykatës Kushtetuese, që të shfuqizojë vendimet e dy gjykatave të posaçme dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, përmes të cilave ai mbahet prapa hekurave prej më shumë se një viti.
Kërkesa e tij është regjistruar në Kushtetuese më datë 6 Shkurt dhe shorti ka përcaktuar gjyqtaren Sonila Bejtja si relatore. Konkretisht, në të thuhet:
“Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimeve nr. 22, datë 24.02.2025 të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 20 (87-2025-93), datë 20.03.2025 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-1018, datë 24.06.2025 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj kërkuesit Safet Rustemi.”
Ky është shansi i fundit i Safet Bajrit alias Safet Rustemi për të dalë nga qelia gjatë shqyrtimit të provave, sepse të gjitha shkallët e tjera të drejtësisë i kanë rrëzuar kërkesat e tij. Ndaj, ai është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, si organi i vetëm dhe më i lartë i Republikës që shqyrton pajtueshmërinë e vendimeve me Kushtetutën.
Në Qershor 2025, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mori në shqyrtim kërkesën e Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit – grupi i akuzuar për ekzekutimin e shtetasit Fatbardh Lici në Shkodër, dhe vendosi:
“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga personat nën hetim Behar Bajri, Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kundër vendimit nr. 20 (87-2025- 93), datë 20.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Ekzekutimi i Fatbardh Licit në Shkodër dhe ngjarja e zbardhur nga SPAK pas 7 vitesh (në 2025)
Konfliktet e hershme mes dy fiseve Bajri e Lici për kontrollin e Shkodrës, kulmuan në vitin 2018 me nisjen e një serie vrasjesh në të dy krahët, që vijon edhe pas shtatë vitesh. SPAK ka mundur të zbardhë ekzekutimin e Fatbardh Licit në mes të Shkodrës dhe ka dërguar në gjyq 4 të pandehur.
Gjithçka ka nisur pas vrasjes së ish-policit Boran Bërçana dhe bashkëshortes së tij Silvi Ndoci në korrik 2018, teksa ata po parkonin makinën poshtë shtëpisë dhe me vete kishin dhe djalin 2 vjeçar.
Ngjarja e rëndë tronditi kryeqendrën e veriut, pasi siç u raportua në atë kohë, ish-polici e kishte njohur personin që e vrau dhe pak sekonda para atentatit ishin përshëndetur. Gjithashtu, edhe Silvi Ndoci e ka njohur autorin, ndaj dhe ajo është vrarë bashkë me burrin.
Prokuroria e Posaçme thotë se Boran Bërçana dhe bashkëshortja e tij ishin miq të fisit Bajri dhe menjëherë pas vrasjes, kreu i grupit Bajri, Behari ia ka atribuuar autorësinë Ibrahim Licit. Ai njihet dhe me nofkën “Fantazma” dhe është nipi i Fatbardh Licit.
Në dinamikë të këtyre ngjarjeve të ndodhura, në shenjë hakmarrje, i pandehuri Behar Brajoviq në bashkëpunim të veçantë me të pandehurit Safet Rustemi (Bajri) dhe Astmer Bilali, kanë organizuar dhe vrarë më datën 10.8.2018, në Shkodër, shtetasin Fatbardh Lici.
Ai ishte xhaxhai i Ibrahim Licit dhe vrasja u krye një muaj pas ekzekutimit të dyfishtë të Boran Bërçanës dhe Silvi Ndocit. Prokuroria e Posaçme thotë se nga hetimet ka rezultuar se ekzekutori i drejtpërdrejtë ka qenë i pandehuri Astmer Bilali.
Menjëherë pas krimit, Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kanë përdorur një mjet të vjedhur të markës, Benz ngjyrë gri me targa AA 760FX.
Ata janë afruar tek vendi ku ndodhej lokali me qira i shtetasit Sokol Lici, ku çdo ditë pothuajse në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen vëllai i tij, viktima Fatbardh Lici. Ai ka qenë i ulur jashtë lokalit dhe pasi automjeti është afruar pranë tij, nga dera e pasagjerit ka zbritur Astmer Bilali, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur.
Më pas mjeti është larguar në drejtim të zonës së Dobraçit, ka hyrë në njërën nga kthesat ku ndodhej shtëpia e Safet Rustemit (Bajri) dhe më pas është kthyer duke u larguar. Ai është gjetur i djegur po në zonën e Dobraçit.
Menjëherë pas ekzekutimit të Fatbardh Licit, Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër, ndërsa i pandehuri Astmer Bilali është larguar direkt drejt Tiranës, së bashku me të pandehurën Eria Ago, e cila rezulton të ketë përkrahur autorët pas kryerjes së vrasjes. Eria ka qenë e dashura e Safetit.