Berisha te “Trauma” për protestuesit e lënduar: Janë qëlluar me snajper, tre bombula kanë kapur në trup deputetin Luçiano Boçi

Lideri demokrat Sali Berisha ka qenë në mesnatë në ambientet e Spitalit të Traumës, ku ka vizituar dhe takuar nga afër disa nga protestuesit e lënduar, gjatë protestës së djeshme të opozitës në Tiranë.

Duke folur për mediat, Sali Berisha tha se njëri prej protestuesve është goditur me shkelmë në kokë gjatë arrestimit dhe ka hematoma të shumta. Ndërkaq, protestuesi tjetër u qëllua në kokë me një garantë gazi lotësjellës, duke marrë dëmtime të rënda.

“Dy të rinj janë me kontuzion trunor, për shkak se njëri prej tyre, 18 vjeçar e kanë gjuajtur si kafshë me këpucë në kokë, me shkelm, për asnjë lloj motivi, veçse për ta marrë me forcë në makinën e tyre, tek po largohej nga protesta. Është në gjendje kontuzioni, me një hematomë serioze. Mjekët po bëjnë përpjekjet dhe po e kontrollojnë. Do ti bëjnë skaner, për të parë shkallën e dëmtimit, nëse është vetëm në inde të buta apo dhe kocka. Por sidoqoftë është me kontuzion trunor”, është shprehur ai.

Për protestuesin tjetër, lideri demokrat ka thënë se është qëlluar me snajper në kokë. Sali Berisha u referohet pamjeve që janë publikuar dhe nga neësbomb.al, ku një protestues anës lumit Lana qëllohet në kokë me pajisjes që hedh granatat lotësjellëse.

“Tjetri, e patë, e filmuat është një protestues që qëllohet me snajper nga mbrapa kokës në mes të rrugës dhe bie pa ndjenja. Një kriminel me uniformë, gazin nuk do që ta hedhë në rrugë, por do të ja gjuajë në kokë. Siç ka bërë njëlloj me këtë dhe këtij i kanë krijuar, nga rrëzimi dhe goditja, është me një kontuzion serioz cerebral. Trunor dhe ky”, ka thënë ai.

Sipas ish-kryeministrit, i lënduar nga këto “bombula” ka mbetur edhe deputeti Luçiano Boçi.

“Të njëjtën gjë, duke gjuajtur me snajper, me bombola, kanë qëlluar Luçiano Boçin, të cilit i ka rënë në trup bombola direkt nga arma me të cilën hidhet dhe e ka kapur për ta larguar dhe i ka djegur gishtat e njërës dorë, djegie më shumë se të shkallës së dytë. Përkundrejt qëndrimit shumë paqësor të protestuesve dhe duhet ta pranojmë dhe një pjese të mirë të policisë, të cilët kanë demonstruar vetëpërmbajtje dhe kanë zbatuar rregullat. Ka patur midis tyre dhe kriminel, të droguar që kanë kryer akte të tilla”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT