Sali Berisha me të gjitha “opsionet” mbi tavolinë, thotë se në protestën e 28 Shkurtit “do të eksplorohen forma të reja”

Lideri demokrat Sali Berisha është shprehur këtë të mërkurë se për protestën e 28 Shkurtit, opozita do të eksplorojë forma të reja të kryengritjes, duke theksuar se të gjitha opsionet janë të hapura.
I pyetur nga gazetarët në selinë blu, Sali Berisha ka shtuar më tej se një formë e protestës do të jetë edhe bllokimi i rrugëve.
Pyetje: U dakordësua për llojin e protestës, me datën 28 shkurt?
Sali Berisha: Po dakordësohemi. Ndryshe do jetë. Ne tani kalojmë në forma të ndryshme protestash, i diversifikojmë, kemi kreativitet. Do eksplorohen forma të reja.
Pyetje: Një nga format? Bllokimi i rrugëve?
Sali Berisha: Të gjitha format janë në konsideratë dhe kjo është vetëm protestë. Ne kemi vetëm protestë. Asgjë nuk përjashtohet. Të jemi realistë. Opsionet janë të gjitha.
28 Shkurti do të jetë protesta e tretë radhazi e opozitës, për vitin 2026, e cila kërkon largimin nga pushteti të socialistëve të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, për shkak të akuzave penale për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndaj disa prej zyrtarëve më të lartë të shtetit.
Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë “format e reja” që do të eksplorojë Partia Demokratike, pasi në tubimet e kaluara ka pasur përleshje të protestuesve me punonjësit e Policisë së Shtetit dhe sulme ndaj institucioneve me molotovë.