Rama tha se edhe në Portugali ka shembje rrugësh, Bardhi e thumbon: Atje kishte ciklon, tek ne “tornado” korrupsioni

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama i cili tha se probleme me shembjen e rrugëve për shkak të motit të keq ka edhe në Portugali.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se në Portugali ka pasur ciklon ditët e fundit, ndërsa për shembjen e rrugëve në vendin tonë, bëri fajtor korrupsionin.
Më tej demokrati shkruan se përpjekja për t’u fshehur pas reshjeve, është fyese për shqiptarët.
Postimi i Bardhit:
Rrugët në Shqipëri nuk po i shemb shiu. Po i shemb korrupsioni. Përpjekja e Edi Ramës për t’u fshehur pas reshjeve sezonale është fyese për shqiptarët.
Në Portugali pati ciklon 200 km/orë. Tek ne ka tornado korrupsioni: vetëm në 11 tendera nën hetim nga SPAK, janë 1.1 miliardë euro, të hedhura në rrugë.
Pamjet nuk kanë nevojë për koment.
P.S. Një këshillë falas per Edi Ramën: nga Portugalia mëso si jep dorëheqjen kryeministri dhe ministrat kur janë nën hetim. Antonio Kosta është vetëm një telefonatë larg!