Ilir Meta, i vetëm dhe përballë të gjithëve!

Nga Edison Balla

Pas një mandati qeverisje me Partinë Socialiste, Ilir Meta, nga kreu i Kuvendit do të votohej  e do të kalonte tashmë në krye të insitucionit të Presidencës.

Për shumë simpatizantë e opinionistë kalimi i Ilir Metës në krye të Presidencës nuk ishte lëvizja e duhur. Kjo për faktin se ai i duhej më shumë partisë që kishte drejtuar më parë, Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe sepse nuk ishte akoma koha që Meta të dilte në pension.

Kjo sepse zakonisht të gjithë politikanët që kanë marrë detyrën e presidentit e kanë parë atë si hallkën e fundit të angazhimit të tyre politik. Por mosha e Metës dhe aktivizmi i treguar si politikan tregon që ai mesa duket do të ketë “jetë politike” edhe pas mbarimit të mandatit si President i Republikës.

Dobësimi i opozitës që u shenjua me dy ngjarje kryesore, siç ishte braktisja e parlamentit dhe mospjesëmarrja e saj në zgjedhjet vendore të qershorit, do ta “zgjonin” edhe temperamentin prej politikani të Ilir Metës tashmë në rolin e presidentit të vendit.

Nga ana tjetër kjo ishte një mundësi mjaft e mirë edhe për Metën që të rriste kredot e tij politike, duke marrë kështu edhe misionin për “zëvendësimin” faktik të rolit të opozitës e cila tashmë e mbetur jashtë pushtetit legjislativ dhe po ashtu edhe jashtë pushtetit vendor, nuk kishte thuajse asnjë mënyrë për të luftuar qeverinë e Ramës. Kjo e fundit kishte tashmë thuajse të gjitha pushtetet për t’i fuqizuar akoma më shumë pozitat e veta.

I ndodhur në këtë situatë, përballë asaj që vetë Meta e quante “arroganca e pushtetit” ai si asnjë paraardhës i tij më parë do të kthehej në të parin president që do të luftonte mazhorancën me votat e së cilës edhe ishte zgjedhur president.

Përballja e Metës me Ramën tashmë ishte një zhvillim i pashmangshëm. Madje akoma më e pashmangshme bëhej kur mazhoranca në çdo veprim të sajin kishte një tendencë të theksuar për të indinjuar tërësisht rolin juridik të presidentit.

E bëri këtë që me mospranimin e dekretit të presidentit që caktontë një datë të re për zgjedhjet vendore. Vendim ky që shënoi edhe fillimin e përplasjeve jo vetëm mes dy politikanëve, por më shumë se aq mes dy insitucioneve kushtetuese. Tashmë edhe në vrazhdën e mospranimit të asnjë dekreti të presidentit, dukej që për Metën nuk ishte më e mjaftueshme “lufta” vetëm nga karrigia e presidentit.

Siç edhe e kemi thënë, Ilir Meta, do të mbahet mend si presidenti  që ka qenë në luftë të hapur me qeverinë dhe ka dalë totalisht jashtë kostumit të tij zyrtar. Krejt ndryshe nga çfarë kanë vepruar paraardhësit e tij në këtë detyrë.

Përplasjet e vazhdueshme me mazhorancën nuk do të ishin të vetmet për Ilir Metën. Ai në gjithë këto kohë është shfaqur si “shpatari” që po mbron Shqipërinë nga e keqja që po i vjen jo vetëm nga qeveria, por edhe nga përfaqësitë e huaja.

Në disa deklarata, Ilir Meta, nuk ka hezituar madje të “sulmojë” edhe disa përfaqësues të ambasadave të huaja në vendin tonë, të cilët sipas tij janë me Ramën në qëllimin e tij për të kapur shtetin.

Por në “betejën” e tij Ilir Meta duhet thënë që nuk ishte fort i kënaqur edhe nga opozita, të cilën nuk ka nguruar që ta bëjë edhe bashkëpërgjegjëse për situatën e krijuar në vend.

Mesa duket Ilir Meta ka zgjedhur ta bëjë i vetëm “luftën” e tij e cila duhet thënë i ka dhënë jo pak kredite politike atij. Kredite që mund t’a bëjnë atë të dalë akoma më i fortë si politikan nesër, kur të mos jetë më president.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT