Qëndroni në shtëpi!

Redaksionale

Shqipëria do ketë me qindra raste të infektuarish në ditët e ardhshme.

Kjo duket tashmë qartë.

Shifrat që vijnë nga Italia fqinje, gjithashtu paralajmërojnë që ditë të vështira po vijnë.

E nëse dështojnë ata ta përballojnë me sistemin e tyre shëndetësor, ne do ta kemi disafish më të vështirë, e ndoshta të pamundur.

Megjithëse kemi shpenzuar e po paguajmë rreth 400 milionë euro PPP vetëm në shëndetësi, sot nuk kemi shtretër në spitalet publike dhe përdorim maska të skaduara.

Votuam një reformator dhe rilindas, pas 7 vitesh kemi në krye të qeverisë një të sëmurë nga fiksimi me median.

Deri dje arrestonim njerëz “për panik” vetëm pse kërkonin në mesazhe private kujdes nga virusi, sot jemi në ekstremin tjetër: Kemi mbyllur në panik gjithçka dhe sokëllijmë nga ekrani a thua e mësuam dje që ky virus ishte në qarkullim dhe na kishte ardhur te portat.

I lamë linjat me veriun italian të hapura, kur vetë Italia i kishte mbyllur me atë pjesë të vendit. Ende dje vazhdonin zbarkonin njerëz nga tragetet e mbërritura në Durrës.

Gjithsesi, ne nuk kemi patur asnjëherë një shtet serioz dhe nuk e kemi ende.

Tashmë është e kotë të përsërisim ato që dihen, aq më tepër që vendi nuk ka më as opozitë politike.

Aty janë ende të njëjtët që duheshin ndëshkuar e nuk u ndëshkuan, e që tani nuk kanë as moralin, as autoritetin, as kredibilitetin publik që ta ndikojnë për mirë situatën.

Në këto kushte, individi shqiptar edhe njëherë tjetër si shumë herë gjatë historisë së tij të mbijetesës duhet t’ia dalë vetë.

Përballë Covid 19 nuk ka asnjë mënyrë tjetër veç izolimit të vetes dhe të njerëzve mbi të cilët kemi ndikim.

Pse? Është e thjeshtë.

Shkalla e vdekjes nga Covid 19 është e ulët por shpejtësia e përhapjes dhe lehtësia e infektimit është e lartë. Shumë e lartë. Secili nga ne mund të sëmuret mjafton të prekë diçka që e ka prekur një i infektuar.

Secili nga ne mund të jetë mbartës i virusit dhe shpërndarës i tij pa ndjerë për të paktën dy javë siptoma.

Edhe nëse vetë e kalojmë pa pasoja, kjo nuk vlen për ata që kanë imunitet të dobët. Ata do kenë nevojë për kurim spitalor. Ky i fundit ka limite, nuk ofrohet dot nëse numri rritet. Nëse numri i të infektuarve rritet edhe numri i të vdekurve do rritet. Pa llogaritur lënien jashtë kujdesit të të sëmurëve të tjerë për shkak të mbingarkesës.

Atëherë nuk duhet të rritet numri. E vetmja mënyrë për këtë është të pakësohen lëvizjet dhe kontaktet.

Bëjeni. Qëndroni në shtëpi.

Kush nuk mundet të qëndrojë në shtëpi, duhet të jetë shumë i kujdesshëm jashtë; të ruajë distancat fizike jo më pak se 1 metër në rrugë, në markete dhe në vendin e punës.

Përndryshe, shumë shpejt, do bëhet shumë e vështirë për të gjithë./Dita

Back to top button
LAJMET E FUNDIT