Kosova mbyll “Iute Credit” dhe “Monego” – Kërcënon sigurinë kombëtare

Fatos Shala*– “Iute Credit” dhe “Monego” nuk do të mund të veprojnë më në Kosovë. Këtyre institucioneve mikrofinanciare i është vendosur dryni.
Banka Qendrore e Kosovës ka marr vendim që t’ua marr
licencën që e kishin për të operuar. Vendimin e Bordit Ekzekutiv për
marrje të licencës ka arsyetuar guvernatori Fehmi Mehmeti.
Ai ka thënë se normat e interesit që kanë aplikuar
këto institucione janë jashtë çdo standardi.
Mirëpo, përveç kësaj dyshimet ishin se përveç kredive
me norma astronomike të interesit, ato po pastronin para për biznesmen dhe persona të fuqishëm nga
Estonia dhe Rusia.
Këtë në njëfarë mënyre e ka konfirmuar edhe
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti i cili në konferencën për media tha se
bëhej fjalë për sigurinë nacionale.
“…Ne nuk do të lejojmë asnjë aktivitet që cenon
sigurinë tonë kombëtare”, ka thënë Mehmeti duke shpjeguar arsyen e tërheqjes së
licencave të këtyre instucioneve.
Këto institucione mikrofinanciare, sipas disa
raportimeve në media, për disa kohë ishin ishin duke u hetuar edhe nga Njësia për Inteligjencë,
Financiare e Kosovës.
Mbylljen e “Iute Credi” dhe “Monego” e ka kërkuar
edhe Ambasada Amerikane në Kosovë, për shkak të dyshimit për pastrim parash që
kanë ardhur nga Estonia dhe Rusia.
E në konferencën që është mbajtur në BQK,
guvernatori Fehmi Mehmeti ka thënë se de evijimi më shqetësues janë normat e
larta të interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi shumëfish më të
larta se nga ato që ishin paraparë në planet e biznesit.
Një hulumtim i bërë kohë më parë nga mediat në vend
ka rezultuar se “MONEGO është në pronësinë e Aigars Kesenfelds një biznesmen i
cili është i dyshuar për krime ekonomike, mashtrime, pastrim të parave dhe i lidhur me miliarderin rus
Oleg Boyko”.
Sipas këtij hulumtimi “ky sistem i kredive të
shpejta ka rezultuar të jetë fatal për shumë familje nëpër vende të ndryshme të
Evropës. Mashtrimi përmes marketingut dhe normat e larta të interesit janë në
kundërshtim edhe me normat reale të BQK-së. Sistemet e tilla nga i njëjti
pronar dhe mashtrimet që janë bërë nëpër shumë shtete të Evropës, sot po
rrezikojnë qytetarët e Kosovës nga një “sistem piramidal” siç është MONEGO.”
Kurse, Iute Credit është ndëshkuar nga BQK-ja
në shkurt të vitit 2019, për mashtrim dhe e njëjta i kishte kthyer paratë
klientëve.
Monego dhe Iute Credit Kosovo janë institucione financiare që ofrojnë kredi të shpejta konsumuese. Në Kosovë operojnë 23 institucione mikrofinaciare, me 183 njësi në nivel vendi. Norma mesatare efektive e interesit për kredi, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, është 20.3 për qind. “Iute Credit” ka hapur degë edhe në Shqipëri.
*Autori është gazetar nga Kosova që shkruan për revistën “Monitor”