Nga “Deputeti që Duam” në garën për këshillin vendor në Britaninë e Madhe, Linda Idrizi sfidon politikën angleze, Taulant Balla thirrje diasporës shqiptare që ta mbështesin

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë me dije se shqiptarja Linda Idrizi, e cila prej vitesh jeton dhe punon në Britaninë e Madhe, ka vendosur që të angazhohet në politikën vendase atje, duke kandiduar në zgjedhjet e 7 majit.

Linda Idrizi është një profesioniste e suksesshme që prej kohësh kontribuon në komunitetin ku jeton. Angazhimi i saj i ri shënon një hap të rëndësishëm, pasi ajo do të kandidojë nën siglën e Liberal Democrats për këshillin vendor të East Surrey, duke përfaqësuar zonën Cobham dhe Oxshott South.

Më herët, Idrizi ishte pjesë e platformës inovative “Deputeti që Duam”, një nismë e ndërmarrë nga Partia Socialiste e Shqipërisë për t’u dhënë qytetarëve mundësinë e përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesëmarrja në këtë platformë dëshmoi vullnetin e saj për t’u angazhuar në politikë dhe për të qenë zëri i qytetarëve, një përvojë që duket se e ka inkurajuar të ndërmarrë hapin e radhës në Britaninë e Madhe.

Në reagimin e tij,  Balla e cilësoi Lindën si një vajzë të suksesshme shqiptare dhe i bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë në Britani ta mbështesin atë në këtë sfidë të re.

“Linda Idrizi është një vajzë e suksesshme shqiptare në Britaninë e Madhe, e cila tani ka vendosur të kandidojë për Liberal-Demokratët në zgjedhjet e 7 Majit, për këshillin vendor të East Surrey, për Cobham dhe Oxshott South”, shkruan Balla ndër të tjera.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT