Formimi i Qeverisë, Thaçi ftesë Kurtit për herë të dytë brenda ditës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka dërguar edhe një ftesë tjetër për takim për të caktuar Albin Kurtin si të mandatuar për krijimin e Qeverisë.
Kjo është ftesa e dytë brenda ditës që Thaçi ia përcjell Kurtit, pasi e para për t’u takuar në orën 13:30 u refuzua nga lideri i LVV-së, i cili tha se nuk ndodhet në Prishtinë.
Sipas ftesës, thuhet se Thaçi e fton Kurtin në orën 20.00, duke mos marrë e konsideruar arsye të fortë mungesën gjatë paradites.
Pak minuta më parë, Presidenti ka shkruar në Twitter se sa më shpejt duhet të formohen institucionet e vendit dhe për këtë do të përcjellë edhe një ftesë.
“Unë përsëri u bëj thirrje të gjithëve të tregojnë udhëheqje dhe të mos vonojnë formimin e Qeverisë së re të Republikës së #Kosovës. Populli dhe aleatët tanë presin më shumë”, ka shkruar Thaçi.
Thaçi e ka ftuar sot kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për të caktuar mandatin për formimin e Qeverisë.
Takimi ishte planifikuar të mbahej në orën 13:30 në kabinetin e Presidentit të Kosovës.
Kurti megjithatë e ka refuzuar këtë ftesë me arsyetimin se nuk ndodhet në Prishtinë.
