Pezullohet pa afat tenderi për aeroportin e Vlorës: Aviacioni me humbje në masën 80%

Tenderi për Aeroportin e Vlorës është pezulluar për shkak të situatës së pandemisë nga Covid-19. Lajmin e bën me dije ministrja e Instrastrukturë dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila thotë se megjithatë, prioriteti mbetet që tenderimi të rifillojë brenda këtij viti.

Balluku bën me dije gjithashtu për humbjet që ka pësuar aviacioni për shkak të pezullimit të fluturimeve, në një masë prej 80%. Për këtë arsye tenderimi është menduar të ristartojë brenda vitit për të rikuperuar humbjet.

Në intervistën për Report, Balluku tha:

“Në rastin e aeroportit të Vlorës e kemi tenderin pezulluar pa afat. Ai tender duhej të kishte përfunduar në 12 mars, por për pak ditë nuk kemi arritur që të përmbushnim kushtet që kompanitë pjesëmarrëse të  arrinin dhe të plotësonin dokumentacionin për shkak se në Itali, Gjermani dhe në shumë vende të tjera u pezulluan shumë nga aktivitetet financiare, bankare, bordet mbikëqyrëse dhe këshillimore që do të kishin vendimmarrje për pjesëmarrjen e kompanive në atë tender.

Kështu që e kemi pezulluar pa afat, por brenda këtij viti ai tender patjetër do të bëhet pasi aeroporti i Vlorës është shumë i rëndësishëm për ne. Sot aviacioni ka marrë goditje të jashtëzakonshme, ndoshta sektori më i goditur. Aviacioni pothuajse ka një humbje 80 % të sasisë dhe volumeve të operimeve.

Ka një ngritje të vogël të operimeve kargo për shkak të çmimit të ulët të karburantit dhe të mungesës së kërkesës së tregut për udhëtimet e pasagjerëve, por megjithatë aviacioni në momentin e parë kur kjo luftë do të përfundojë do jetë një nga fushat që do të pësojë bumin, për shkak edhe të gjithë kësaj mungese që po krijohet sot me lëvizjen e qytetarëve në mbarë botën”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT