Protestuesit bllokojnë rrugët në Izrael: T’i jepet fund fushatës ushtarake në Gaza, pengjet të kthehen në shtëpi

Protesta po zhvillohen në të gjithë Izraelin, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund fushatës ushtarake në Gaza dhe kthimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi. Demonstratat janë organizuar nga Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, një grup i cili prej kohësh i ka bërë thirrje qeverisë së Izraelit t’i japë përparësi lirimit të pengjeve dhe t’i japë fund luftës menjëherë. Imazhet e publikuara tregojnë rrugët kryesore në të gjithë vendin të bllokuara nga protestuesit.
Protestat vijnë ndërsa Izraeli ka rritur ofensivën e tij në Rripin e Gazës, duke kryer sulme në qytetin e Gazës përpara pushtimit të planifikuar të zonës më të madhe urbane të territorit. Në një sulm në një spital në jug të Gazës ditën e djeshme (25 gusht) u vranë të paktën 20 persona, duke përfshirë pesë gazetarë dhe katër punonjës shëndetësorë. Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu e quajti incidentin një “fatkeqësi tragjike” dhe tha se ushtria po “kryente një hetim të plotë”.
Rreth 1,200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng në sulmin e Hamasit më 7 tetor. 20 pengje besohet të jenë ende gjallë.
Izraeli u përgjigj me një ofensivë masive ushtarake, e cila ka vrarë më shumë se 62,744 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.