Rama në SHBA: Kurti do ndryshojë mendje për Shengenin Ballkanik

Gjatë fjalës së mbajtur në Këshillin e Atlantikut, Kryeministri Edi Rama ceku marrëdhëniet dypalëshe, krizën e brendshme politike dhe perspektivën europiane të Shqipërisë, nismat rajonale dhe të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si pjesë e BE-së, raportet me Qeverinë e re të Albin Kurtit në Kosovë dhe nismën e fundit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Rama e nisi fjalën duke sjellë si shembull krizën në politikën amerikane dhe përplasjen mes Donald Trump dhe demokratëve. “Uashingtoni na e ka kaluar për politikën përçarëse, nuk jemi më të vetëm”, deklaroi ai,
Rama e sheh krizën politike në Shqipëri si proces normal drejt pjekurisë së demokracisë. Ai mbrojti vendimin për të zhvilluar zgjedhjet vendore më 30 qershor edhe si një “mësim” për partitë politike.
“Nuk e shoh si problem, por si një mangësi të natyrshme në procesin e rritjes. Kemi kaluar një moment të vështirë, kur bojkoti u bë i natyrshëm dhe normal, por ne asnjëherë nuk kishim pasur bojkotim të zgjedhjeve. Kjo ishte gjë e re dhe duhej refuzuar. Nuk mund të ishte e negociueshme kjo çështje. Unë e shoh të pagjasë në hapat e mëtjeshme që partitë e tjera të bëjnë të njëjtën gjë, sepse të gjithë kuptuan që me bojkot nuk fiton”, deklaroi ai.
I pyetur se përse nuk ka ndërmarrë më parë një operacion kundër krimit të organizuar, si operacioni i nisur së fundmi në vend, Kryeministri përsëriti se nuk ishin kushtet.
“Si mund të bëhej përpara se të kishim SPAK, që lindi nga procesi i dhimbshëm i reformës në drejtësi dhe vettingut? Si mund të konfiskonim pasuritë e mbledhura me gjykatat që kemi pasur dhe një pjesë kemi akoma, që janë të kontaminuara nga krimi i organizuar? Na u desh të prisnim me detyrim momentin kur policia nuk do të turpërohej nga prokuroria apo gjykata. Tashmë kemi zyrën e Prokurorisë së Posaçme dhe kemi edhe Gjykatën e Posaçme dhe këto çështje do të gjykohen në gjykatë nga persona që kanë kaluar vettingutn dhe kjo përbën një ndryshim të madh”, u shpreh Kryeministri.
Rama iu përgjigj kritikave që kanë mbërritur edhe nga opozita në Shqipëri se ligji për sekuestrimin e pasurive që burojnë nga krimi i organizuar mund të përdoret për të goditur individë që nuk kanë lidhje me aktivitetet kriminale. Ai tha se të gjithë emrat që do t’u kërkohet që të justifikojnë pasurinë e tyre janë të skeduar dhe në regjistrat e policisë. “Emrat janë aty, regjistrat janë mbyllur. Nuk është një listë e hapur”, deklaroi ai.
Negociatat dhe perspektiva europiane
Kryeministri Edi Rama akuzoi për hipokrizi vendet që në tetor të vitit të kaluar bllokuan hapjen e negociatave për Shqipërinë. Hapja e negociatave u bllokua nga Franca, Holanda dhe Danimarka. Qëndrimin e Presidentit francez, Emanuel Macron Rama e etiketoi si më të ndershmin.
“Ka një nivel hipokrizie, sepse do të ishte më e ndershme nëse do të na thuhej që, “shiko se ju i keni bërë detyrat, por ne nuk jemi gati”. Duhet të them që Presidenti francez ka qenë më i drejtpërdrejti”, deklaroi Kryeministri.
Rama këmbëngul se Shqipëria dhe shqiptarët janë përdorur nga politikanë të caktuar të Bashkimit Europian për qëllime elektorale dhe qëndrimet refuzuese të tyre i cilëson joobjektive. “Kur flasin në në Parlamentet e tyre nuk na kanë ne në mend, por votuesit e tyre. Nuk kanë parasysh se çfarë mendojnë, kanë parasysh se çfarë duan të dëgjojnë votuesit e tyre. Në Paris, Hagë apo kudo nuk besoj që ka njerëz që merren 24 orë me Shqipërinë, ndërkohë që Komisioni Europian (që ka rekomanduar hapjen e negociatave) i ka këta njerëz”, deklaron kreu i Qeverisë shqiptare.
Rama e vlerëson metodologjinë e re të negociatave dhe zgjerimit, të prezantuar nga Bashkimi Europian së fundmi si më të vështirë se procesi që ka qenë deri më tani në fuqi, ndërsa përsërit se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për hapjen e bisedimeve.
“Në lidhje me metodologjinë e re do ta thoja që disa argumente janë mjaft të mira, edhe pse mund ta kishim pasur më të lehtë pa këtë metodologji. Por, shumë mirë që pati një debat për ta përmirësuar metodologjinë. Asnjë vend që sot është anëtarësuar, nuk ka bërë më shumë se ne para se të nisnin negociatat. Jo se ne jemi më të mirë, por sepse procesi u bë kërkues. Ne kemi problem me krimin, me korrupsionin, me transparencën në institucione, por po të mos i kishim këto probleme do të kërkonim që të ishim anëtarë që sot”, u shpreh ai.
Në lidhje me afatet kohore se kur do të hapen negociatat, Rama nuk vendos më bast, por nënkupton se procesi mund të ndodhë shumë shpejt.
“E kam bërë në të shkuarën, por nuk do të them kurrë më që kjo do të ndodhë në këtë, apo atë datë, sepse janë 27 krerë shtetesh që kanë 27 lloje zgjidhjesh dhe problemesh. Me rëndësi që proçesi është në drejtimin e duhur dhe ne po vazhdojmë të bëjmë punën tonë, ashtu siç do të bënim nëse do të ishin çelur bisedimet për anëtarësim. Pra, Shqipëria vetë nuk po humb kohë. Ndoshta e mira e kësaj është që do të ndodhë kur ne nuk e presim që të ndodhë, pra në të ardhmen e afërt”, thotë ai.
Albin Kurti dhe “Shengeni Ballkanik”
Rama u pyet edhe mbi nismën rajonale të përbashkët me Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç për ngritjen e një tregu ekonomik të përbashkët në Ballkanin Perëndimor. Përfshirja e Shqipërisë në këtë nismë ka hasur në kundërshti të forta në Tiranë dhe në Prishtinë.
“Për momentin jam tradhtari i përkryer, së paku në imagjinatën e njerëzve që nuk e kuptojnë që nuk mund të ndërtosh paqe me të njëjtat instrumente që ke luftuar për liri. Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë dhe mendoj se duhet ta vazhdojmë të bëjmë, është që duam të çojmë këtë shengenin rajonal përpara. Është interesante që Grenell nxiti nisjen e fluturimeve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të gjithë e përshëndetën, por nëse do ta kisha thënë unë, ka shumë mundësi që nuk do të isha këtu sot, por do të më kishin prerë kokën”, u shpreh ai.
Qëndrimin pro kësaj nisme, Rama e përforcoi duke iu referua metodologjisë së re të Bashkimit Europian, që tha se këmbëngul fort tek fqinjësia dhe bashkëpunimi rajonal. Megjithatë, shengenin ballkanik, ai nuk e sheh si alternativë ndaj integrimit në Bashkimin Europian dhe bën thirrje që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë.
Rama paralajmëroi se Albin Kurti Kryeministër do të jetë ndryshe nga Albin Kurti aktivist dhe opozitar për tema delikate, siç është bashkimi kombëtar, apo bashkëpunimi rajonal. Sa i takon heqjes së kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, Kryeministri i qëndron idesë se rruga e vetme për ta realizuar këtë është përmes nismës së “Shengenit Ballkanik”.
“Poezia e opozitës nuk është njësoj me prozën e Qeverisë, kjo është çështja. Është mirë që kanë një Qeveri të re dhe mezi pres që të punoj bashkë me ta që kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë të bëhet fluid. Ka qënë e pamundur që menjëherë sapo ta përmendja kufirin, njerëzit të më mos më thonin që kjo është Shqipëria e Madhe dhe në Beograd do ta thonin një gjë të tillë. Tashmë kemi një marrëveshje ku kufijtë mund të jenë tërësisht të hapur”, thotë ai.
Albin Kurti dhe aleati i tij në Qeveri, Isa Mustafa e kanë kundërshtuar këtë nismë. Megjithatë, Rama mbetet besimplotës e ata do të ndryshojnë qëndrim.
“Kur je në Qeveri është shumë ndryshe. Tashmë mund të punojmë së bashku dhe shpresoj që sa më shpejt të qartësojmë këtë shtrembërim lidhur me Shengenin rajonal dhe të bëjmë përpara me bashkëpunimin rajonal”, deklaroi Kryeministri.