Zhurma me një “dokument” dhe një “foto”. Arsyet pse po sulmohet që në ditët e para SPAK

Sot, publiku ka mbështetur shumë shpresa te drejtësia e re pas Vetingut, por veçanërisht te struktura e re e hetimit që po njihet gjerësisht si SPAK.
Krijimi i SPAK ashtu siç e vuri në dukje edhe drejtuesja e ONM, Cavalera, është më në fund një lajm i mirë, finalizim i një pjese të procesit që ka krijuar me të drejtë pritshmëri të larta.
Trupa e re e SPAK, me emra prokurorësh të papërfolur, të cilët kanë kaluar edhe filtrin e vëzhguesve ndërkombëtarë i justifikon këto pritshmëri.
Në këtë kontekst është e rëndësishme të kuptohet përse SPAK është sulmuar 24 orët e fundit pothuajse menjëherë pas krijimit zyrtar dhe betimit të prokurorëve.
Arsyeja e parë lidhet me targetin e hetimeve që do kryejë SPAK.
Jo rastësisht sulmet kanë ardhur nga politika dhe media afër partive politike.
Është e kuptueshme që politikanët të cilët parashikojnë hetime të mundshme ndaj tyre të SPAK, e sulmojnë strukturën e re për të nxitur një përplasje të zhurmshme publike.
Përplasje nga e cila shpresojnë të krijojnë që tani alibinë e “hetimeve politike” kur ato të ndodhin më vonë, pra të kenë një alternativë të gatshme përballë akuzave të pashmangshme për korrupsion.
Interesante është të vihet re një detaj, se kush e ka sulmuar orët e fundit kreun e ri të SPAK Arben Kraja, duke e lidhur atë me “hetimet e kohës së diktaturës”.
Akuzat jo rastësisht u hodhën në rrjete sociale nga një ish-drejtor administrate që sapo ka aplikuar jashtë vendit për azil politik.
Zyrtari në fjalë prej disa kohësh paraqitet në publik si viktimë e “përndjekjes prej komunistëve” duke e lidhur këtë pretendim me postin e tij si drejtor i institucionit që merret me pasojat e komunizmit në Shqipëri.
Pasi ngriti një proces gjyqësor me gazetën Dita dhe analistët e saj, duke e shoqëruar këtë veprim me lajme të herëpashershme se po kërcënohej, zyrtari në fjalë e përdori këtë gjyq dhe kërcënimet false për të startuar një procedurë të azilit politik në Zvicër.
Atje është gjendur përballë kërkesës së autoriteteve vendase që të mbarojë gjykimin në Shqipëri ku tashmë drejtësia e re po instalohet. Për këtë shkak, aplikuesit i duhet të krijojë “kartën e viktimës së paragjykuar” pra të provojë se një “antikomunist” nuk mund të hetohet dhe gjykohet nga “komunistët” në Shqipëri.
Pra, lidhja e SPAK dhe rrjedhimisht institucioneve të reja të drejtësisë “me diktaturën dhe komunistët” synon në mënyrë dinake të krijojë te autoritetet zvicerane të azilit dhe jo vetëm te ato, perceptimin fals se as organet e reja të drejtësisë nuk mund të gjykojnë drejt një “antikomunist” të thekur si sharlatani në fjalë.
Krijimi pra, i alibive, në nivele politike dhe në nivele të nevojave banale private është një nga arsyet e sulmit të papritur dhe paragjykues ndaj një SPAK-u që sapo ka nisur punën.
Edhe më qesharak është sulmi në të njëjtat kanale politike dhe mediatike ndaj një prokurori tjetër të strukturës së posaçme.
Prokurori Altin Dumani është sulmuar duke i publikuar një foto kafeje me një deputet.
PD citon portalet që e kanë botuar, këto citojnë njëra-tjetrën se foto dëshmon sipas tyre konflikt interesi dhe se është bërë “një ditë para vendimit të KLP-së për kreun e SPAK”.
Një nga portalet e pyetura u shpreh për gazetën se e kishte marrë tekstin të gatshëm dhe se nuk kishte asnjë siguri për ditën e shkrepjes së fotos.
Madje nuk kishte siguri as nëse personi që shfaqet me kurriz në foto është vërtet hetuesi i SPAK.
Por edhe sikur ta marrim të mirëqenë, akuzat që shoqërojnë foton janë joserioze.
Teksti bie në kundërshtim me vetë përmbajtjen, ndërsa koha e pretenduar e fotos bie ndesh me ngjarjet që kanë pasuar.
E pranojmë një moment spekulimin që punët e SPAK-ut dhe drejtuesi i strukturës së posacme ku është investuar gjithë komuniteti ndërkombëtar janë lënë për t’u vendosur në një kafe lagjeje “një ditë para mbledhjes së KLP”.
Nëse do ishte kështu, prokurori Dumani duhej të ishte zgjedhur në krye të strukturës, gjë që nuk ndodhi, sepse votimi vendosi ndryshe megjithëse pikëzimi e kishte renditur të parin.
Në çdo rast për konflikt interesi nuk mund të bëhet fjalë, sepse dihet që kreu i SPAK nuk zgjidhet nga Parlamenti.
Për më tepër vetë publikuesit pranojnë që fotoja është shkrepur në një ambjent publik në një kafe në Tiranë, pra kuptohet që protagonistët, cilëtdo qofshin, nuk kanë asgjë për të fshehur. Madje, personi i tretë në foto sipas hulumtimeve rezulton një mjek i njohur në komunitet, pa asnjë lidhje as me SPAK, as me politikën.
Por jo vetëm rezultati i votimit për kreun e SPAK tregoi se në rastin Dumani, ky i fundit nuk ka mbështetjen e asnjë klani apo personi të veçantë brenda ose jashtë politikës.
Edhe vlerësimet gjatë Vetingut, provojnë se prkurori në fjalë ka demonstruar integritet të lartë moral e profesional, dhe është klasifikuar si prokuror që di t’i bëjë ballë pushtetit ekonomik, politik apo krimit të organizuar, duke arritur të kryejë funksionin e prokurorit i pandikuar.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me vendimin nr.192 datë 31 Korrik 2019 vendosi pa asnjë vërejtje konfirmimin e tij në detyrë.
Gjatë procesit të rivlerësimit bëri përshtypje qëndrimi i vëzhguesit ndërkombetar Teo Jacobs, i cili si në asnjë rast tjetër deklaroi se nuk kishte pyetje për z.Dumani.
Në datën 16.07.2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi ta kualifikojë të parin duke e vlerësuar maksimalisht në procesin e përzgjedhjes si prokuror në SPAK.
Në të vërtetë Dumani është ndër të paktët prokuror që edhe para Vetingut ka qenë për 9 vjet nën mbrojtjen e Policisë për kanosje me shkak detyrën, pasi ka drejtuar dosje hetimore shumë të rënda. Në 2003 Dumani ka përfaqësuar 2 çështje në ngarkim të Arben Grorit, një nga eksponentët më të rrezikshëm të kohës. A. Grori u arrit që të dënohet me burgim të përjetshëm. Dumani ka ndjekur gjithashtu fajësimin ligjor dhe apelimet pas vendimeve të dyshimta gjyqësore për personazhe me mbështetje politike si Y.Pinari, N.Prendi, K.Balili etj
Dumani ka pranuar që në moshë të re përgjegjësi për drejtimin e strukturave të vështira të Prokurorisë. Në janar 2000, është emëruar Drejtues i Prokurorisë së Tropojës duke pranuar një detyrë që më parë e kishin refuzuar shumë të tjerë. Zyra e tij dhe gjithë godina e Prokurorisë është qëlluar me arme zjarri në ngjarjet e 28 Nentorit 2000.
Gjatë periudhës kur ka ushtruar detyrën e Zv. Drejtuesit të Prokurorisë Për Krime të Rënda ai ka udhëhequr hetimin e çështjeve më të rëndësishme të kohes si ajo në ngarkim të L. Berisha (banda e Durresit), A. Bare (Banda e Lushnjes) etj.
Si drejtues i Njësisë së Përbashkët Hetimore Për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit Dumani dhe ekipi i tij morën vlerësime të posaçme në raportin e Transparency International si dhe nga zyra për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) në Departamentin e Drejtësisë së Sh.B.A. Puna e kësaj Njësie është vlerësuar edhe nga progress raporti i Bashkimit Evropian i vitit 2009.
Për shkak të kompleksitetit të tij, procesi i vetingut është shoqëruar pashmangshmërisht me kosto, sakrifica dhe energji institucionale dhe individuale të larta.
Marrëzia për ta njollosur SPAK me qëllimet që renditëm në fillim të këtij shënimi ka zhdukur në këtë rast çdo lloj arsyetimi dhe llogjike.


