134 vjet nga projekti politik kombëtar

134 vjet nga projekti politik kombëtar i Lidhjes së Prizrenit, Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se Lidhja e Prizrenit është procesi i kombformimit modern shqiptar.

Në sheshin Shadërvan u organizua ekspozita e fotografive, e cila u vizitua nga qytetarë të shumtë.

Ndërkaq në kinemanë e qytetit u mbajt tribuna me temën “ 134 vjet LSHP, 100 vjet shtet shqiptar, ku janë shqiptarët sot”, në të cilën ligjëruan, politikanë, historianë e letrarë nga hapësira gjithëshqiptare.

Tribunën e hapi Glauk Konjufca, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Konjufca theksoi se Lidhja e Prizrenit ka ngjizur një ide, dhe pas mbi 130 vitesh, synon aktualizimin e vetvetes, pra bashkimin në një të vetëm, të kombit shqiptar.

“E kjo do të thotë, ideja e cila është njësi të trupëzohet si njësi. Pra, që Kombi ta ketë Shtetin e vet. Lidhja e Prizrenit ka pastur një mori efektesh vendimtare për kombformimin shqiptar, duke filluar prej identitetit e deri te organizimi. Por njëri prej aspekteve më me rëndësi të Lidhjes së Prizrenit është doktrina e forcës vetanake”, theksoi Kojufca.

Në fund ai e përmbylli fjalën e tij, duke cituar një fragment të letrës së Pashko Vasës drejtuar ambasadorit austrohungarez të asaj kohe në Stamboll:

“Dua të jetoj, dua të shkoj përpara, dua të jem i lumtur! Përse doni të më coptoni? Jam anëtar i familjes suaj. Më ndihmoni të futem në shoqërinë tuaj dhe të marr pjesë me ju në të mirat e qytetërimit. Kam një shpirt dhe një zemër bujare, kam vullnet të mirë; …do të shihni se si, i shpëtuar nga pengesat që vënë në rrezik qenien time, do të shkoj përpara aq shpejt, sa edhe të tjerët”, citoi deputeti Konjufca.

Pas tij fjalën e mori Abdi Baleta nga Tirana, i cili duke folur për politikat shqiptare e cilësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si gurthemel të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në tribunë ligjëruan edhe Fatmir Sylejmani, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe nga Tetova, Qazim Namani historian nga Prishtina dhe Xhemaledin Salihu kryetar i Shoqatës për Trashëgimi Kulturore nga Lugina e Preshevës, të cilët u fokusuan në përgjithësi në etapat historike nëpër cilën kaluan dhe ku gjinden shqiptarët sot.

Ky është i katërti vit, që prej vitit 2008, kur Lëvizja Vetëvendosje kremtoi për herë të parë përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, duke i dhënë kësaj date rëndësinë që meriton. Qytetarë të shumtë nga të gjitha viset kanë vizituar qytetin, që me krenari mban epitetin e kryeqytetit të kombit.

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje që nga mëngjesi u përkujdesën që qyteti të dekorohej dhe stolisej me flamurin kombëtar, kuq e zi.

Vetëvendosje thekson se aktivistët u penguan nga Policia e Kosovës, e cila ndërhyri dhunshëm duke përdorur gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës.

Në këtë ditë, Vetëvendosje bëri me dije se u arrestuan 19 aktivistë.

Me aktivistët sipas lëvizjes, u solidarizuan edhe qytetarët në rrugë, duke i mbrojtur ata nga policia.

Shkaku i dhunës policore, thotë Vetëvendosje, ishte flamuri kombëtar.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT