Edi Rama shkoi në Korçë me helikopter, Berisha u jep direktiva korçarëve: 30 mijë euro ka harxhuar, qëllojeni me domate dhe vezë

Kreu i qeverisë, Edi Rama mesditën e kësaj të hëne udhëtoi drejt qytetit të Korçës! Jo në rrugë tokësore, pasi ashtu sikurse dihet prej ditësh tanimë aksi Librazhd-Pogradec është duke u përballur me rënie të nivelit të tokës, duke mos u bërë i aksesueshëm për askënd, Rama vendosi që të shkonte përmes rrugës ajrore.
Pas këtyre lajmeve vetë kryeministri përmes një deklarate zyrtare sqaroi se ky udhëtim ishte parashikuar kohë më parë, para se të bllokohej aksi dhe se në këtë fluturim nuk është i vetëm por me disa investitorë të cilët kanë dashur të shohin si juglindjen po ashtu dhe jugun e Shqipërisë brenda 24 orëve.
E lidhur me këtë udhëtim të kryeministrit Rama nuk ka lënë pa thënë dy fjalë as rivali i tij i “përjetshëm” politik, Sali Berisha. Në një deklaratë për mediat, ish-kryeministri tha se janë dashur 30 mijë euro për këtë udhëtim të Ramës në Korçë, ndërkohë që u dha “derektiva” korçarëve që ta qëllojnë me “vezë dhe domate”.
“Kurse vetë Edi Rama fluturon në Korçë me 30 mijë euro fluturimi. Ka shkuar me dy helikopterë. Helikopteri Tiranë-Korçë shpenzon 15 mijë euro udhëtim. 30 mijë euro bileta e tij e mëngjesit.
U bëj thirrje qytetarëve të Korçës ta gjuajnë me domate dhe vezë kudo që ta shohim. Vezë dhe domate, domate dhe vezë ndaj kryehajdutit! Ky duhet të jetë qëndrimi i qytetarëve shqiptarë në çdo skaj ndaj çdo qeveritari”, tha Berisha.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
Osman Stafa: Z. Berisha, prej disa ditësh juglindja e vendit është e izoluar. Rrugë, të cilët janë duke pasur problematika të ndryshme. Në informacionet tuaja, çfarë është duke ndodhur?
Sali Berisha: Ajo që po ndodh me të gjithë juglindjen e vendit është dëshmia më flagrante se si korrupsioni mund të godasë pothuaj 1/3-tën apo 1/4-tën e shqiptarëve.
Prej tri ditësh, e gjithë juglindja e vendit është e dënuar nga një shembje e krijuar, absolutisht nga dora kriminale e njeriut të korruptuar. E pabesueshme!
Është një shembje e rrugës dhe urës që nuk mund të ndodhte kurrë, në qoftë se nuk do t’i gërryenin lumin dhe mbështetjen e saj në skarpatin në lumë.
Pa asnjë model është ndërhyrë në lumë dhe është shembur ura, hekurudha dhe rruga. Shembje që nuk kanë asnjë lidhje as me motin, as me mbipesha, por janë krejtësisht nga dora e njeriut.
Dhe, siç keni parë, nuk ka mbetur segment rruge të ndërtuar nga dyshja Rama-Balluku që të mos jetë shembur. Shembet rruga Kuç-Fterë e Lumit të Vlorës. Shembet rruga në një fshat tjetër në Korçë. Shemben rrugët në të katërta anët e vendit sikur të ishin të ndërtuara me kashtë dhe jo me strukturat e duhura të ndërtimit.
Të gjitha janë vepra të korrupsionit. Ajo që është më dramatike se vetë shembja është heshtja kriminale e organeve të prokurorisë. Asnjë të arrestuar, asnjë të marrë në ndjekje, që të gjitha rrugët pa përjashtim të shembura.
Shembet unaza e Burrelit. Shembet Rruga e Arbrit. Shembje, shembje dhe kudo vetëm shembje dhe sikur ato i kanë ndërtuar alienët dhe jo kompani të kontraktuara nga qeveria me paratë e taksapaguesve.
Nuk veprohet sepse paratë janë ndarë me qeveritarët. Kurse vetë Edi Rama fluturon në Korçë me 30 mijë euro fluturimi. Ka shkuar me dy helikopterë. Helikopteri Tiranë-Korçë shpenzon 15 mijë euro udhëtim. 30 mijë euro bileta e tij e mëngjesit.
U bëj thirrje qytetarëve të Korçës ta gjuajnë me domate dhe vezë kudo që ta shohim. Vezë dhe domate, domate dhe vezë ndaj kryehajdutit! Ky duhet të jetë qëndrimi i qytetarëve shqiptarë në çdo skaj ndaj çdo qeveritari.