Edi Rama kalon nesër Atlantikun! Kryeministri i Shqipërisë niset drejt Uashingtonit, DETAJE: Çfarë pritet të ndodhë në Amerikë dhe veprimet e Trump

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë ditën e nesërme drejt Washington për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes, një nismë e ndërmarrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump që synon adresimin dhe zgjidhjen e konflikteve në nivel global.
Newsbomb mëson se kreu i qeverisë shqiptare do të niset paraditen e së mërkurës me qëllim për të qenë i pranishëm në ceremoninë e 19 shkurtit, që shënon nisjen zyrtare të aktivitetit të këtij bordi.
Vetë Rama e ka konfirmuar pjesëmarrjen gjatë episodit më të fundit të podcastit të tij “Flasim”, duke bërë të ditur se ftesën e ka pranuar personalisht nga presidenti Trump.
“Do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes”, u shpreh Rama, duke i dërguar kështu dhe një “mesazh” demokratëve dhe liderit të kësaj force politike, Sali Berishës i cili prej kohësh deklaron se kryeministri nuk mund të “kalojë Atlantikun”.
Kujtojmë se kryeministri kishte pranuar më herët edhe një ftesë për takimin e 22 janarit në Davos, ku u mbajt ceremonia themeluese e Bordit të Paqes. Megjithatë, ai nuk mori pjesë në atë aktivitet pasi në të njëjtën ditë zhvilloi një vizitë në Shqipëri vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump. Gjatë një seance plenare në Kuvend, Rama deklaroi se iu desh të zgjidhte “mes babait dhe vajzës”, duke shtuar se zgjodhi të bijën, “me lejen e të atit”.
Ndërkohë theksojmë se sipas një raportimi të agjencisë prestigjioze Reuters, duke cituar dy zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, në takimin e 19 shkurtit në Uashington pritet të marrin pjesë delegacione nga të paktën 20 shtete, përfshirë edhe krerë shtetesh dhe përfaqësues të lartë qeveritarë.
Gjithashtu, Reuters raportoi se gjatë këtij takimi presidenti Trump do të njoftojë një plan multimiliardësh për rindërtimin e Gazës, si dhe do të paraqesë detaje mbi krijimin e një Force Stabilizuese për Gazën, në kuadër të përpjekjeve për paqe dhe stabilitet në rajon.