Fluks të prekurish me koronavirus?! Ja sa aparatura respiratore ka sistemi shëndetësor në Shqipëri

Masat e ashpra të Qeverisë për të mos lejuar asnjë person të lëvizë me makinë, apo të qarkullojë në këmbë, sidomos për moshat e tretë është një prej masave që ndikon në uljen e numrit të të prekurve me koronavirus, por edhe ul riskun pë rata që preken.
Sipas të gjitha thirrjeve që janë bërë deri tani nga autoritetet, masat janë për të ulur sa më në minimum rastin e të prekurve me koronavirus. Por një tjetër problem, nëse do të ketë një skenar të ngjashëm me Italinë janë edhe pajisjet mjekësore.
Bëhet fjalë për respiratorët që janë jetëshpëtuar në rastet e rënda të të prekurve me koronavirus. Pra, për ata persona që nuk përfshihen në rastet që e kalojnë Covid 19, pa e vënë re.
Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, i gjithë sistemi shëndetësor në Shqipëri, shtetëror dhe privat ka 215 respiratorë të ndarë në disa spitale të vendit dhe sigurisht pjesë më e madhe në QSUT, ku është edhe numri më i lartë i pacientëve që marrin shërbim, apo u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.
Mjekët e kontaktuar në telefon nga Gazeta Shqip thonë se ky numër nuk është aspak i mjaftueshëm, nëse do të ketë një shtim të fluksit në infektiv, apo një rëndim të gjendjes së atyre që do të shkojnë për mjekim të specializuar në repartin Infektiv të QSUT.
Por, mjekët bëjnë një llogari të thjeshtë. Nëse do të ketë rritje të numrit të të prekurve me një trend të frikshëm, atëherë në spital do të ketë më shumë të shtruar, çka do të thotë se mund të ketë nevojë për shumë aparatura respiratore, ose të frymëmarrjes.
Duke rikujtuar skenarin italian, kur mjekëve u është dashur të japin ndihmë për ata që kanë më shumë shanse të jetojnë, mjekët shqiptarë as që e mendojnë se kjo do të ndodhë, por rikujtojnë se masat dhe urdhrat e autoriteteve do të jenë të zbatueshme pa asnjë diskutim.