“E ka marrë copy-paste!” Studiuesi denoncon kreun e ri të AKSHI-t për PLAGJIATURË në punimin e doktoraturës: Igli Tafa, nuk duhet të jetë më drejtues (DOKUMENTET)

Igli Tafa, sapo është emëruar Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e që tani është duke u përballur me akuza të forta për plagjiaturë në punimin e tij të doktoraturës si edhe në artikuj shkencorë. Këto denoncime ndaj tij i ka bërë studiuesi Taulant Muka, në disa emisione televizive, por edhe në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.
Muka ka denoncuar një artikull shkencor të publikuar nga Tafa në vitin 2011, me titull “A Survey of QoS Routing Protocols for Ad Hoc Networks”, i vili sipas tij, është kopjuar fjalë për fjalë nga studime të mëhershme të publikuara nga autorë në Malajzi dhe Indi.
Studiuesi e lidh këtë veprim të bërë me dyshime të forta që mund të ngrihen sa i përket integritetit akademik të drejtuesit të një institucioni që është administrues i sistemeve digjitale shtetërore dhe të dhënave të qytetarëve.
“Rasti nuk duket i izoluar: edhe ish-drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e kemi treguar për doktoraturën 100% plagjiaturë. Pas gjithë ngjarjeve të rënda që lidhen me AKSHI, janë të qarta pasojat kur institucione kritike drejtohen nga njerëz me standarde të ulëta profesionale” ka shkruar Muka në denoncimin e tij.
Më tej ai i ka “dedikuar” një postim denoncues edhe punimit të doktoraturës së Tafës, të cilën e ka mbrojtur në vitin 2013, në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ku sipas tij Igli Tafa, ka kopjuar shënimet e leksioneve të një profesoreshe të huaj dhe i ka vendosur në punimin e tij të doktoraturës.
“Leksionet e profesoreshës rumune Dana Petcu (2009) janë përdorur fjalë për fjalë si kapituj në doktoraturën e Igli Tafës (mbrojtur 2013, Universiteti Politeknik i Tiranës). Pra: shënime leksionesh të një profesoreje të huaj, të paraqitura si punë doktorature!
Që në kapitullin e parë del qartë kopjimi, teksti dhe struktura përputhen identikisht. Ky është standardi i drejtorit të AKSHI-t. Një shembull i keq se si merren gradat dhe titujt shkencorë në Shqipëri, duke dëmtuar arsimin dhe meritokracinë” ka shkruar Muka.
Po ashtu i ftuar në një emision televiziv, Taulant Muka është sgprehur se kjo ngjarje është pjesë e një modeli të vazhdueshëm ku individë me kredenciale të dyshimta katapultohen në poste të larta drejtuese.
Sipas tij, shkelje të tilla nuk janë vetëm të natyrës etik, por edhe ligjore. “Nga ana akademike, sigurisht që Universiteti i Politeknikut duhet të mblidhet, duhet të analizojë të gjitha, si të thuash, dokumentat që kanë ndikuar në zhvillimin akademik të zotit Tafa dhe duhe të kishte një vlerësim, në qoftë se doktoratura dhe botimi akademik duhet të mbaheshin dhe nga ana tjetër t’i kërkoheshin dhe rrogat mbrapsht.
Dhe në kushte normale patjetër që nuk duhet të vazhdonte më si drejtues i AKSHI-t.
E ka treguar bota perëndimore, kur del një drejtues i një institucioni të lartë me plagjiaturë, automatike përkthehet edhe në dhënien e dorëheqjes, pasi është një problem etik, sikurse e përmenda, është një problem ligjor dhe dënohet nga ligji, por edhe nga ana tjetër edhe nga rregulloret e universiteteve”,ka deklaruar ai ndër të tjera.
Kujtojmë se Tafa u emërua në krye të AKSHI-t më 13 shkurt 2026, pasi ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj u shkarkua nga detyra dhe ndodhet në arrest shtëpie dhe hetim nga SPAK për procedura të dyshuara abuzive me tendera që lidhen me institucionin.
Postimet e plota:
DOKTORATURË PLAGJIATURE – Rasti i dytë i Igli Tafës, Drejtorit të AKSHI-t!
“Leksionet e profesoreshës rumune Dana Petcu (2009) janë përdorur fjalë për fjalë si kapituj në doktoraturën e Igli Tafës (mbrojtur 2013, Universiteti Politeknik i Tiranës). Pra: shënime leksionesh të një profesoreje të huaj, të paraqitura si punë doktorature!
Që në kapitullin e parë del qartë kopjimi, teksti dhe struktura përputhen identikisht. Ky është standardi i drejtorit të AKSHI-t. Një shembull i keq se si merren gradat dhe titujt shkencorë në Shqipëri, duke dëmtuar arsimin dhe meritokracinë.
Denoncimi i djeshem për artikullin e 2011 kopjuar nga studime malajziane e indiane nuk eshte plagjiature e izoluar e z. Tafa. Si është e mundur që në vitin 2026, kur teknologjia e zbulon kopjimin menjëherë dhe kur mijëra shqiptarë janë edukuar në universitetet më të mira në botë, ne ende drejtohemi nga plagjiatura?
Doktoratura e z. Tafa nuk shkarkohet online në faqen e Universitetit Politeknik, siç kërkon ligji për transparencën në arsimin e lartë dhe aksesin publik të disertacioneve. Kjo mungesë aksesi publik tregon edhe arsyen pse qeveria dhe Biblioteka Kombëtare kanë kufizuar ose “kycur” doktoraturat nga qasja e lirë: praktikisht kane bllokuar meritokracinë dhe të ardhmen e vendit”
“Dashuria e Kryeministrit Rama për plagjiaturën s’ka fund…
Artikulli shkencor i vitit 2011 i Igli Tafës, drejtorit të ri të AKSHI, është kopjuar fjalë për fjalë (copy–paste) nga studime të publikuara më herët në Malajzi dhe Indi. Mes mijërave shqiptarëve të arsimuar, Kryeministri sërish provon se plagjiaturën e ka kriter për drejtuesit.
Bëhet fjalë për studimin: “A Survey of QoS Routing Protocols for Ad Hoc Netëorks” (2011), i cili rezulton identik me pjesë nga dy artikujt e Aisha-Hassaan (2008) dhe I. Latha (2009).
AKSHI është institucioni që administron sistemet digjitale të shtetit dhe të dhënat e qytetarëve. Si mund të drejtohet një institucion kaq kritik nga dikush me një precedent të tillë?
Dhe pyetja tjetër: a është vetëm ky artikull i tij 100% copy–paste?
Rasti nuk duket i izoluar: edhe ish-drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e kemi treguar për doktoraturën 100% plagjiaturë.
Pas gjithë ngjarjeve të rënda që lidhen me AKSHI, janë të qarta pasojat kur institucione kritike drejtohen nga njerëz me standarde të ulëta profesionale”