Dështuan në pastrimin e 1 milion eurove! Zbardhen DËSHMITË: 3 shqiptarët bëjnë të paditurin, bashkë me oficerin e Komisariatit numër 5 të Tiranës prezantohen si SHOFERË

Detaje të reja kanë dalë në pah në lidhje me arrestimin e ish-oficerit të Komsiariatit numër 5 të Tiranës, Aurel Kaziu, e 2 të tjerëve, të cilët u arrestuan në tentativë për të transportuar 1 milion euro në kufi të Merdarës.
Në dosjen e siguruar nga Kallxo.com mësohet se Prokurori special ka kërkuar një muaji paraburgim për secilin prej 3 të pandehurve, ndaj të cilëve rëndon akuza për veprën penale “pastrim i parasë”.
Referuar dosjes së sigruar për çështjen në fjalë, ekzistojnë dyshimet se të pandehurit kanë qenë të 3 në dijeni të shumës së madhe, e përfituar nga aktivitete kriminale.
Furgoni “Sprinter”, me targa shqiptare, me të cilin treshja udhëtonte, hyri në territorin e Kosovës përmes Merdarës. Shofer mësohet të ketë qenë shtetasi Edmir Ahmagjokaj, i shoqëruar nga dy të pandehurit e tjerë; ish-oficeri i policisë Aurel Kaziu dhe Ardit Laska.
Në “bunkerin” e improvizuar brenda furgonit u gjetën gjithsej 18 pako të cilat përbëheshin nga kartëmonedha 10, 20, 50, 100 dhe 200 euroshe.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, tre të pandehurit janë prezantuar si shoferë.
I pandehuri Edmir Ahmagjokaj, që drejtonte automjetin më 24.02.2026 deklaroi se nuk ishte në dijeni për paratë. Ai është shprehur se kishte udhëtuar në Gjermani më 22.02.2026 si shpërndarës poste. Hetimet e bëra kanë zbuluar se Ahmagjokaj ka qëndruar në hotel rreth orës 22:00 dhe do të nisej drejt Shqipërisë më 25.02.2026.
I pandehuri Aurel Kaziu, i cili pas ngjarjes u shkarkua nga detyra si oficer i Komisariatit numër 5 të Tiranës, më 24.02.2026 para hetuesve ka deklaruar se më 21 shkurt ishte nisur nga Tirana për në Gjermani me një tjetër furgon, të cilin e kishte ndryshuar në Kosovë me furgonin që u ndalua nga Dogana.
“Furgonin nga Kosova për në Tiranë e kishte marrë kompania. Ai tha se kishte qëndruar një natë në Dortmund dhe më pas është takuar me Edmir Ahmagjokajn në Këln, ku kishin ngrënë së bashku dhe më pas vazhduan udhëtimin për në Shqipëri. Për paratë e konfiskuara, deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni”, shkruhet në dosje.
Ndërsa i pandehuri i tretë, Ardit Laska, ka deklaruar se kishte vajtur shkuar për herë të parë në Gjermani për të qëndruar 3 muaj. Edhe nga ana e tij është mohuar se ishte në dijeni për paratë. Ndërsa është shprehur se ishte konktaktuar nga një agjenci udhëtimesh përmes Instagramit për transport të sigurt Gjermani–Shqipëri.
“Kompania i kishte dhënë kontaktin e Aurel Kaziut dhe lokacionin e pikës së nisjes. Më 23.02.2026, ai së bashku me Aurel Kaziun dhe Edmir Ahmagjokaj ishin nisur nga Dortmundi për në Shqipëri”, thuhet më tej në dosje.
Në lidhje me këtë ngjarje, Dogana e Kosovës ka njoftuar se më 24.02.2026, në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, zyrtarët e Doganës së Kosovës ndaluan një makinë për kontrolle të detajuara.
“Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike. Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit” thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Kujtojmë se për shkak të implikimit të tij në këtë veprimari kriminale, më 25 shkurt u pezullua nga detyra e tij oficeri i Komisariatit numër 5 të Tiranës, Aurel Kaziu.