RASTËSI? Benzi luksoz që u bë shoshë nga plumbat i Elvis Kosovës, efektivi i AMP-së i fiksuar me “099”, 2 muaj më parë aksidentohej me Bentley-n, kishte të njëjtat numra
Rastësi apo diçka më shumë? Atentati i ndodhur dy ditë më parë në rrethrrotullimin e Rinasit ka tronditur sigurinë në Shqipëri.
Automjeti me të cilin po udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani ra pre e një atentati ku i vdekur në vend mbeti krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ndërsa agjenti i AMP-së dhe biznesmeni nga Tirana u plagos rëndë.
E teksa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, një detaj që nuk ka shpëtuar pa u kapur është targa e automjetit! Makina “Mercedez Benz” ngjyrë të bardhë me të cilin në momentin e atentatit Dani dhe Muçi po udhëtonin ka një përputhshmëri numerike me targën e një tjetër mjeti i cili u përfshi në aksident shtatorin e këtij viti.
Mesditën e 20 shtatorit në aksin Lushnjë-Fier automjeti luksoz “Bentley” me targa AC099XC u përplas me një kamion të cilin tentoi që ta parakalonte. Si pasojë e plagosur asokohe mbeti shtetësja që ndodhej pasagjere në mjet, ndërkohë shoferi mori lëndime të lehta.
Ndërkohë, dy muaj më pas, mesditën e së martës automjeti me targa AB099UO ra pre e një atetentati. Muçi Shaljani i cili drejtonte mjetin nuk mundi dot t’i shmangej breshërisë së plumbave dhe si pasojë humbi jetën miku i tij që ndodhej pasagjer, Gilmando Dani dhe u plagos rëndë vetë ai.
Ku prej pasdites te së martës ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe burime për Newsbomb konfirmuan më herët se aktualisht është në intubim dhe në gjende kome, kjo si pasojë e 2 plumbave të marrë në kokë.
Automjeti në të cilin ndodhej Dani dhe Shalljani rezultoi të ishte në pronësi të Elvis Kosovës, pronarit të një kompanie për shit-blerje makinash.
Pas lajmeve se mjeti rezultonte të ishte në emër të kompanisë së tij, Kosova i mohoi këto lajme duke thënë se nuk mbante mend që të kishte pasur një makinë të tillë.
“As nuk e mbaj mend ta kem pasur ndonjëherë këtë makinë. Nuk është në emrin tim fare, është në emër të kompanisë. Sa makina hyjnë e dalin nga kompanitë e mia, s’di, s’kam fjalë me këto. Zot na ruaj”, shkruante Kosova.