Dacic: Prishtina është e gatshme të na provokojë
Ivica Dacic |
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Dacic, i cili njëherësh është edhe kryetari i Partisë Socialiste, ka deklaruar se ka informata që autoritetet e Prishtinës po përgatisin provokime me rastin e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Ai ka thënë se këto provokime të Prishtinës zyrtare mund të bëhen madje edhe me dijeninë e bashkësisë ndërkombëtare.
“Mund të vije deri të djegia e materialit zgjedhor dhe arrestimi i personave që do të marrin pjesë në këtë proces, dhe më këtë të vënë në pikëpyetje jo vetëm zgjedhjet, por edhe situatën e sigurisë”, u ka thënë Dacic gazetarëve në Kralevë, raporton Radio Televizioni i Vojvodinës.
Dacic ka thënë se është shumë me rëndësi që në organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve, Serbia të kërkojë ndihmën e organizmave ndërkombëtarë në Kosovë, siç janë UNMIK-u dhe OSBE-ja. Kjo, ka thënë ai, do të ndalonte provokimet e Prishtinës.
Ndërkohë, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka ndërprerë seancën, në të cilën anëtarët e tij për më shumë se dy orë kanë diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës. Anëtarët i kanë kërkuar Qeverisë së Serbisë t’iu japë përgjigje nëse kanë marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar për organizimin e zgjedhjeve të sigurta në Kosovë.
Autoritetet e Beogradit kanë thënë se nuk do të organizojnë zgjedhjet lokale në Kosovë. Por strukturat paralele serbe në veri të Kosovës, kanë paralajmëruar se do t’i mbajnë edhe zgjedhjet lokale. Ndërsa autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se do të pengojnë me forcë zgjedhjet lokale. Kurse shtetasit me dyshtetësi, sipas Prishtinës zyrtare, mund të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, duke votuar me postë, por assesi nuk mundet që ato t’i organizojë Serbia.
Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”