“Ai nuk ka marrë asnjë lek nga shteti”, Haxhia ‘mesazh’ prokurorëve të SPAK: Ergys Agasi ju ka takuar edhe juve, bëni pjesë te grupi kriminal?

Avokati Maks Haxhia i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story”, ka dhënë detaje për hetimet që po zhvillohen në lidhje me dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve të Informacionit, duke theksuar disa elemente të rëndësishme që kanë dalë deri tani.
Sipas Haxhisë, i cili është dhe avokati i Ergys Agasit, deri më tani klienti i tij nuk ka asnjë lidhje formale me AKSHI-n, duke mos rezultuar i punësuar dhe duke mos marrë pjesë në tenderat e kësaj agjencie. Ai theksoi se Agasi është thjesht një biznesmen që nuk ka përfituar fonde nga buxheti publik dhe nuk ka kompani në fushën ku operon AKSHI.
“Interesantja është që zoti Agasi nuk është as i punësuar, është thjesht një biznesmen, nuk është futur asnjëherë në tenderat e AKSHI-t, nuk ka kompani në atë fushë, nuk ka marrë asnjë përfitim nga buxheti-financat publike dhe e fusin në grup të strukturuar kriminal lidhur me shkelje të barazisë në tendera, që për mua kjo vepër penale është administrative, mund të ishte shumë mirë “korrupsion në tendera”, ka thënë ai, teksa më tej ka ngritur pyetjen për implikimin e prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO, duke theksuar se nëse këta të fundit kanë pasur komunikime me Agasin, a mund të lindin diskutime rreth konceptit të grupit të strukturuar kriminal.
Haxhia vuri në dukje se përsa i përket veprës së shkeljes së barazisë në tendera, ajo mund të konsiderohet kryesisht një shkelje administrative dhe jo penale, duke theksuar se për një rast të tillë do të kishte kuptim më shumë të flitej për “korrupsion në tendera”.
Pjesë nga fjala e avokatit në Top Story:
Interesantja është që zoti Agasi nuk është as i punësuar, është thjesht një biznesmen, nuk është futur asnjëherë në tenderat e AKSHI-t, nuk ka kompani në atë fushë, nuk ka marrë asnjë përfitim nga buxheti-financat publike dhe e fusin në grup të strukturuar kriminal lidhur me shkelje të barazisë në tendera, që për mua kjo vepër penale është administrative, mund të ishte shumë mirë “korrupsion në tendera”.
I thonë që ke takuar njerëz të rëndësishëm, por në qoftë se unë konstatoj që zoti Agasi ka kontaktuar prokurorë të SPAK ose gjyqtarë të GJKKO, atëhere edhe ata janë grup i strukturuar kriminal. Të shohim nëse i ka kontaktuar, nuk kam asnjë material nga dosja edhe pse e kam kërkuar.