‘Nuk do paguhet qiraja’, vazhdojnë replikat mes PD-së dhe Ramës: Boll sulmove opozitën, mijëra fëmijë pa bukë

Vijojnë replikat mes Partisë Demokratike dhe kryeministri Edi Rama pas vendimit për mospagimin e qirasë nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka sulmuar sërish Ramën, pasi ky i fundit u shpreh se PD është lëshuar siç di vetë kur prek majën e dëshpërimit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Bardhi thote se Rama duhet të “sakrifikojë” 120 milion euro që ka parashikuar të japë për 12 koncesione dhe jo bukën e mijëra familjeve shqiptare.
Sipas Bardhit, Rama duhet të anulojë koncesionet dhe PPP, duke i kaluar barrën qeveritarëve të korruptuar dhe oligarkëve që hanë milionat e shqiptarëve.
Statusi i plotë:
Edi Rama u kërkon sakrificë vetëm qytetarëve të zakonshëm. Qytetarët nuk mund të mbajnë më gjatë barrën e taksës së korrupsionit që qeveritarët kanë futur në xhep. Taksa e korrupsionit i ka marrë peng dhe i detyron të mos anullojnë koncesionet dhe PPP.
Në vend që të sulmojë opozitën që po qendron në krah të qytetarëve në nevojë:
1. Edi Rama duhet të “sakrifikojë” 120 milion euro që ka parashikuar të japë për 12 koncesione dhe jo bukën e mijëra familjeve shqiptare.
2. Edi Rama duhet të “sakrifikojë” 40 milion euro që ka parashikuar për shpenzimet operative të Qeverisë dhe jo të lërë fëmijë pa bukë.
3. Edi Rama duhet të “sakrifikojë” 100 milion euro tendera luksi e të panevojshme dhe jo të fusë në borxh shqiptarët me njëri tjetrin.
Përgjegjësia e Qeverisë është që barrën e pamundësisë së mijëra qytetarëve të mos ua kalojë mijëra qytetarëve të tjerë, që janë po në kushtet e mbijetesës.
Barra duhet t’u kalojë qeveritarëve të korruptuar dhe oligarkëve që hanë milionat e shqiptarëve! Anullo koncesionet dhe PPP! Lëri fjalët boshe në facebook!