Vrau me thikë 19 vjeçarin Stiven Toshkësit, Apeli ul dënimin për adoleshentin, reagojnë ashpër familjarët e viktimës dhe shoqërohen nga Policia

Aksel Hoxha, adoleshenti që është shpallur fajtor për vrasjen e 19 vjeçarit Stiven Toshkësi dy vite më parë në Tiranë, do të qëndrojë 12 vite në qeli. Kështu ka vendosur këtë të martë Gjykata e Apelit në kryeqytet, duke u ulur dënimin me 6 vite.
Fillimisht, Shkalla e Parë e ka dënuar 18 vjeçarin (mosha kur kreu krimin në 2023) me 18 vite burg. Mirëpo, Aksel Hoxha ka apeluar vendimin dhe ka përfituar zbritjen e 1/3 së viteve të burgut.
Vendimi ka ngjallur reagime të forta nga familjarët e Stiven Toshkësit, të cilët nuk kanë pranuar uljen e dënimit për autorin, ndërsa Policia e Shtetit është detyruar që t’i largojë nga gjykatë dhe t’i shoqërojë në ambientet e Komisariatit Nr.1.
Si ndodhi ngjarja 2 vite më parë?
Sherri për një vajzë i nisur në rrjetet sociale degjeneroi fillimisht në një plagosje të lehtë te rruga e Elbasanit dhe më pas në një sulm fatal me thikë pranë shtëpisë së tij. Stivi kthehej si çdo ditë nga puna, (pas shkollës) rreth mesnatës kur autori Aksel Hoxhaj dhe shoku i tij Ensi Maze, po e prisnin në derë të shtëpisë.
Familjarët dhe shokë të Stivit tregojnë se konfliktin ai e ka pasur me Arbër Muratajn, djalin e famëkeqit Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë në grabitjen e Rinasit në prill të vitit 2019, ku qëlloi me armë drejt Policisë. Dy muaj më parë para ngjarjes Arbër Murataj ka marrë në telefon Stivin për t’u sqaruar. Për të shuar gjakrat, të dy janë takuar në rrugën e Elbasanit, pranë shkollës së Baletit, ku kishin lënë edhe takimin për t’u sqaruar.
Por, në momentin që Stivi shkoi në takim, ai është qëlluar me thikë nga 18-vjeçari Arbër Murataj. Stivi arriti të mbrohet dhe të plagoset lehtë në bark dhe u largua nga vendi i ngjarjes, por nuk bëri denoncim në polici, pasi u kërcënua me jetë nga Murataj.
Dy muaj më vonë, më 18 prill ai u qëllua për vdekje po me thikë, nga Aksel Hoxhaj, i cili rezulton të jetë shok i ngushtë me Arbër Muratajn që prej klasës së parë. Ndërsa Ensi Maze i cili ndodhej po ashtu në vendin e ngjarjes, mbajti brenda mjetit shokun e Stivit, në mënyrë që të mos e ndihmonte. Ky i fundit u kap në ditën e krimit nga policia, ndërsa autori u vetëdorëzua mbas 2 ditësh.